Fundamenti

Haradinaj kritikon Kurtin: Vendimi për targat i pakoordinuar me partnerët strategjikë – mund të jetë me pasoja për vendin

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, e cila të premten ka shpalosur planin për çështjen e targave ilegale që lëshohen nga Serbia, që do të zbatohet në katër faza.

Plani parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat ilegale që lëshohen në Serbi për automjetet e serbëve në Kosovë, që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

Hardainaj thotë se “vendimi i fundit i Kryeministrit për targat, i paharmonizuar dhe i pa konsultuar me aleatët perëndimorë, posaçërisht me SHBA, është një vendim shkurtpamës e që mund të jetë edhe me pasoja për vendin”.

“Është e papranueshme kur ne u kërkojmë demokracive më të fuqishme të botës të na ndihmojnë t’i japim fund mosmarrëveshjeve shekullore me Serbinë, dhe pikërisht kur ato janë në kulmin e angazhimit, kryeministri ynë vepron krye në veti e pa koordinim me partnerët strategjikë”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

Më tej Haradinaj thotë se “nuk mund t’u kërkosh vendeve mike ndihmë e të mos i përfillësh këshillat e tyre, aq më tepër kur ato, jo vetëm se të kanë marrë nën mbrojtje, por falë edhe angazhimit të tyre, Kosova sot është e lirë dhe e pavarur. Kjo është në kundërshtim edhe me traditën shqiptare”.

“Kryeministri duhet t’i analizojë mirë hapat e tij dhe në këtë fazë jetike për vendin duhet të jetë në harmoni të plotë me Amerikën dhe BE-në. Andaj, i kërkoj ta rishikojë edhe vendimin për targat”.

“Dua të besoj se zhgënjimi i shprehur i partnerëve tanë me këtë vendim të kryeministrit, nuk do të ketë pasoja për marrëdhëniet e shkëlqyera që ka Kosova me ta!”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur zhgënjim për mosrespektimin e kërkesës së tyre dhe shteteve të tjera të QUINT-it, për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në Kosovë.

UBT

Ndaj vendimit të Qeverisë lidhur me çështjen e targave ilegale kanë reaguar edhe dy partitë më të mëdha në vend, LDK dhe PDK.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, tha të shtunën se vendimi i qeverisë në lidhje me targat në veri të vendit e vërteton përsëri faktin se kryeministri Albin Kurti edhe po tërhiqet nga zbatimi i vendimeve të tij, edhe po e vendos Kosovën në pozicione të kundërta me partnerët ndërkombëtarë.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë me kujdes relacionet me partnerët e përhershëm dhe strategjikë, SHBA-të dhe BE-në.

“Është tejet brengosës fakti që Qeveria e ShBA-ve shprehet e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga veprimet e Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas vendimit të mëhershëm të Qeverisë, nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët në veri, që kanë targa të lëshuara nga Serbia, do të mund t’i konvertonin ato në RKS- Republika e Kosovës. Pas kësaj date, ekzekutivi kishte thënë paraprakisht se makina me targa të tilla nuk do të mund të qarkullonin në territorin e shtetit e as të kalonin kufirin.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten (28.10) ka miratuar planin e ri për zbatimin e vendimit për targat ilegale, i cili parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 28 tetor. /Telegrafi/