RCCOLA

Haradinaj: Krerët e shtetit iu zotuan Bakojanisit se do t’i implemntojnë marrëveshjet nen për nen – kjo s’është formalitet

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar letrën që tre krerët e shtetit, Osmani, Kurti e Konjufca, ia kanë dërguar raportueses së Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis.

Haradinaj ka thënë se kjo letër mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në KiE, por sipas tij nuk mund të cilësohet formalitet pasi “gama e zotimeve është shumë e gjerë dhe përfshin obligime konkrete”.

“E kuptueshme që letra e tre krerëve shtetëror dërguar raportueses së KiE, Dora Bakojanis, mund të jetë standard para aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por kurrsesi nuk mund të cilësohet formalitet, siç e quan pushteti, sepse gama e zotimeve në atë letër është shumë e gjërë dhe përfshinë obligime konkrete.”

Haradinaj ka thënë se Osmani, Kurti e Konjufca zotohen të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, përfshirë edhe asociacionin.

“Ata zotohen se do të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, duke përfshirë edhe Asociacionin. Pyetja është, pse kanë pasur nevojë që deri me tash ta zhagisin zbatimin e kësaj marrëveshjeje e të thonë herë e zbatojmë herë nuk e zbatojmë.”

Mobi Casa

Haradinaj ka shkruar se tre liderët institucionalë zotohen që ta respektojnë gjyqësorin dhe të heqin dorë nga kritikat e tepruara të gjyqësorit.

“Psh. thuhet se liderët institucionalë zotohen se “do të respektohet pavarësia e gjyqësorit dhe do të hiqet dorë nga “kritikat e tepruara ndaj gjyqësorit”. Kjo dmth se këta zotohen të heqin dorë nga diçka që e kanë aplikuar deri me tash. “

Poashtu, Haradinaj thotë se në letër është shkruar se “do të përmbahen nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore e të sigurohen se ato dislokohen vetëm në rast nevoje”

“Aty thuhet “Të përmbahemi nga përdorimi i policisë speciale në veri të Kosovës për detyra të zakonshme policore e të sigurohemi se ato dislokohen vetëm në rast nevoje”, që i bjen se deri me tash nuk e kanë zbatuar këtë standard që aq shpesh është kërkuar nga aleatët tanë. Zotohen për shpronësimet në veri; Për mbrojtjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe; Për integrimin e pakicave; për gjuhët e tyre, shkollimin tekstet … e kështu me radhë.”

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është ngjarje e madhe dhe hap i rëndësishëm drejt integrimit në BE dhe ndoshta letra e zotimeve drejtuar Bakojanis përfshihet në këtë kuadër, por është e habitshme se si liderët institucionalë të Kosovës, deri me tash kanë shpërfillur kërkesat e njëjta nga nivele shumë të larta të ShBA dhe BE, dhe pikërisht për këtë sot jemi edhe nën sanksione, edhe në marrëdhënie shumë të acaruara me ShBA e BE, edhe të detyruar t’i përsërisim zgjedhjet në veri, edhe të merremi me dinarin, edhe në pozitën më të keqe të mundshme në procesin e dialogut me Serbinë.”