RCCOLA

Haradinaj : Kosova s’është gati për zgjedhje të jashtëzakonshme

/ 2 minuta lexim

Prishtinë – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se Kosova nuk është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme. Këto komente, Haradinaj i bëri, duke iu referuar deklaratave të ambasadores amerikane, Tracey Jacobson, e cila një ditë më parë tërhoqi vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare pa e kryer reformën zgjedhore do të ishte gabim dhe do të rrezikonte raportet e Kosovës me perëndim.

AAK-ja është gjithmonë e gatshme për zgjedhje, po jo edhe Kosova. Kështu u shpreh kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, duket theksuar se në zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk mund të ketë proces normal zgjedhor.

“Ne i kemi përvojat e zgjedhjeve të dëmtuara dhe të parregullsive në zgjedhje dhe ne do të ishim të shqetësuar nëse mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në 45 ditë, sepse do të ishte problem të jenë të rregullta, të lira dhe të votohet si duhet”, tha ai.

Haradinaj tha se ky është shqetësim edhe i ambasadores amerikane në Kosovë, e cila tha një ditë më parë se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare pa e kryer reformën zgjedhore do të ishte gabim i madh. Haradinaj megjithatë, përmend një afat optimal për zgjedhjet parlamentare.

RCCOLA

“Në një afat kohor optimal mund të mbahen zgjedhjet diku në fund të pranverës vitit që vjen”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së i bëri këto komente në një konferencë për media, ku bashkë me udhëheqësin e Departamentit për bujqësi, Imer Rusinovci, shprehën shqetësimin për politikën e qeverisë së Kosovës, për siç u tha, tjetërsimin e pronës bujqësore. Rusinovci paralajmëroi rendimente të ulëta vitin e arshshëm.

“Për pasojë fermerët vitin tjetër do të përballen me një prodhim të ulët vendor dhe me një import marramendës”, tha Rusinovci.

Sipas Rusinovcit, subvencionet e Qeverisë për mbjelljen e kulturave bujqësore, janë të orientuara ekskluzivisht për militantët e partisë, duke anashkaluar fermerët e vyeshëm. E kjo sipas tij, do të sjellë rezultate të ulëta vitin e ardhshëm në bujqësi.