Eko Higjiena

Haradinaj: Ka edhe brenda LDK-së që nuk pajtohen me “Zajednicën”

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Opozita i ka dhënë si opsion për zgjidhje, pra dorëheqjen, llogaridhënien nga Qeveria Mustafa, duke i thënë “Shko” në mënyrë që të kthehet sovraniteti i vendit, të kthehen kufijtë e Kosovës.

Sipas Haradinajt, Gjendja në Kosovë nuk është e mirë si rezultat i Qeverisë dhe i vendimeve të gabuara, veçanërisht i dy vendimeve të fundit e që sipas tij, janë të rrezikshme, të Qeverisë Mustafa, atij për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe “Zajednicës”, si dhe Demarkacionit ose vijës kufitare me Malin e Zi.

“Pra është një gjendje e rënduar, Ne kemi dhënë si opsion për zgjidhje pra dorëheqjen, llogaridhënien nga Qeveria Mustafa, duke i thënë “Shko” në mënyrë që të kthehet sovraniteti i vendit, të kthehen kufijtë e Kosovës, që të ndodhë zhvillimi ekonomik, që të ndalet korrupsioni, që Kosova të ketë ushtrinë e vet , pra që të kemi një shtet normal”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për Bota press.

“Për ne ka qenë opsion tejkalimi i gjendjes me reflektim të qeverisë pra me anulu marrëveshjen. Por , meqenëse ka mungu ky reflektim, ka ardhë vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe prapë mungon reflektimi i Qeverisë. Prandaj ne kërkojmë dorëheqjen e kësaj qeverie pra si opsion te vetëm të daljes nga kriza”, ka shtuar më tej Haradinaj.

Sipas liderit të AAK-së, pushtetarët po shpifin te miqtë ndërkombëtarë se gjoja opozita është e rrezikshme.

“Unë nuk kam pas deklarata jo të mira për Ambasadën amerikane, çdo herë i kam deklarimet shumë të mira për ta e me respektin më të madh, deklarimet e mia janë shumë të qarta. Kuptohet se pushtetarët janë në panik dhe po mundohen me shpif te miqtë, besa edhe te armiqtë, duke i thënë se opozita është e rrezikshme për Kosovën”.

Mobi Casa

Por sipas tij, Kosova është e rrezikuar prej shkallës së lartë te korrupsionit dhe shkallës së kriminalitetit që, sipas Haradinajt, këta qeveritarë e kanë pru vendin në këtë derexhe.

“Detyra ime që në funksion të asaj që është ndërtu në Kosovë nga miqtë tanë dhe nga ne. Ne po vazhdojmë me e ndërtu Kosovën, pikërisht në frymën që kemi ra dakord me miqtë tanë në radhë të parë ata amerikanë”.

Haradinaj vlerëson se ka edhe njerëz brenda LDK-së që nuk pajtohen me “Zajednicën”.

“Vendimet e kryetarit të LDK-së, që është kryetar i qeverisë në shkuarje, janë të rrezikshme për vendin. Jo vetëm unë dhe Aleanca, por mendoj se edhe njerëz të LDK-së nuk janë dakord me Zajednicën, dhe ata kanë kontribu për lirinë e vendit, por nuk janë të kënaqur që pas shumë vitesh me iu kthy Zajednica në Kosovë”.

Haradinaj është pyetur edhe rreth asaj nëse ka ardhur koha për “pensionim” të parakohshëm të liderëve të sotëm politikë, përfshirë edhe vetë atë.

Lidhur me këtë, ai ka thënë se “secili që me veprimet e veta ka rënë në kundërshtim me interesat e vendit, me kushtetutën, me ligjin e Kosovës, kuptohet që duhet të jep llogari”.