Haradinaj: Investitorët po i largon korrupsioni, jo molotovi

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk do të ndalet së protestuari derisa kryeministri Isa Mustafa e zëvendësi i tij, Hashim Thaçi të mos jenë në krye të Qeverisë së Kosovës.
“Nuk mundet që vendi të jetë peng i dy njerëzve dhe i tekave të tyre”, thotë Haradinaj, në një intervistë për Gazetën Fjala.
Sipas tij, ata kanë shkelur kushtetutën dhe duhet të hapin rrugë që Kosova të jetë vend ku sundon rendi dhe ligji, për krijimin e ambientit që do të mundësonte zbutjen e papunësisë, aktivizimi i sistemeve të mëdha ekonomike.
Kreu i AAK-së thotë se duhet të ndërpritet klientelizmi dhe ti hapet rruga ekonomisë së tregut. Ndërkaq, mohon që protestat e dhunshme dhe koktej e molotovit po i trembin investitorët e huaj.
“Kokteji i molotovit, është gjuajtur në dy-tri raste dhe në dy muajt e fundit, ndërsa investitorët e huaj ka vite që e kanë braktisur Kosovën. E kanë braktisur, sepse nuk janë të gatshëm t’i paguajnë pushtetarët për të hyrë në tregun e Kosovës”, thotë Haradinaj.
Në këtë intervistë ai fletë edhe për opsionet e shkuarjes në zgjedhje në një listë të vetme me opozitën, por nuk përjashton mundësinë e koalicionit me PDK-në e LDK-në. Por, tani nuk ka më kushte për të qenë domosdo kryeministër.
Deri kur do të jetë pjesë e opozitës së bashkuar Ramush Haradinaj?
Haradinaj: Ne, tri partitë e Opozitës, jemi bashkuar për një kauzë që është shumë e drejtë. Për dy çështje jetike për Kosovën, për të penguar zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, me të cilën është shkelur edhe kushtetuta e vendit, dhe për të mos lejuar që një marrëveshje për kufirin t’ia heqë Kosovës mijëra hektarë tokë.
Për këto çështje do të jemi të bashkuar deri në fund. Se a do të vazhdojmë rrugëtimin tonë të mëtutjeshëm bashkë, kjo varet nga përcaktimi i secilit veç e veç, por është opsionale që të jemi bashkë edhe në tema të tjera.
A keni marrë ndonjë ofertë nga partitë në pushtet për t’iu bashkuar në Qeveri ?
Haradinaj: Jo
A do pranoj AAK vendimin e ekspertëve ndërkombëtar për demarkacionin me Malin e Zi?
Haradinaj: Kosova është shtet i pavarur dhe demarkacionin e kufirit me fqinjë e bën vetë. Prandaj edhe komisioni duhet të jetë i Kosovës. Ne nuk kemi asgjë kundër që në këtë komision të përfshihen edhe ekspertë ndërkombëtarë, por thash se ky komision duhet të jetë komision i Kosovës.
A besoni se do të ketë liberalizim të vizave në pjesën e parë të këtij viti?
Haradinaj: Është e mundur që të ndodhë liberalizimi gjatë këtij viti. Qytetarët e Kosovës, nuk e meritojnë të mbeten të izoluar. Ne jemi të fundit në Evropë që po e presim liberalizimin, dha ai po shtyhet, vetëm për shkak të qeverisjes së keqe që e ka kapluar vendin.
Cilat janë sfidat kryesore ekonomike të vendit?
Haradinaj: Ekonomia është e lidhur ngushtë më sistemin e drejtësisë, që është shndërruar në një sistem klientelistë edhe për ekonominë. Duhet të ndërpritet klientelizmi dhe ti hapet rruga ekonomisë së tregut.
Sfidë tjetër është krijimi i ambientit që do të mundësonte zbutjen e papunësisë, aktivizimi i sistemeve të mëdha ekonomike, siç janë bujqësia dhe agropindustria, aktivizimi i Trepçës, minierave të shumta, elektroekonomia, hapja e vendit për investime të huaja, përkrahja e ekonomisë së vogël, turizmi…
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka thënë së fundmi se molotovi po i largon investitorët. Si e vlerësoni këtë?
Haradinaj: Opozita ka penguar dy të këqija për vendin. Ka pasur edhe disa metoda, jo shumë të pëlqyera të këtij kundërshtimi, por që ato kanë qenë rruga e vetme.
Kokteji i molotovit, është gjuajtur në dy-tri raste dhe në dy muajt e fundit, ndërsa investitorët e huaj ka vite që e kanë braktisur Kosovën. E kanë braktisur, sepse nuk janë të gatshëm t’i paguajnë pushtetarët për të hyrë në tregun e Kosovës.
Shiheni Maqedoninë se çfarë investimesh të huaja ka. Merreni edhe shembullin e Serbisë, që ia ka hapur rrugët kapitalit të huaj. Vetëm Kosova ka mbetur si zorrë qorre, sepse të bërit biznes në këtë vend, është bërë i pamundur pa paguar “taksë korruptive” për pushtetarët.
A jeni kundër ndërkombëtarëve?
Haradinaj: AAK gjithmonë ka qenë bashkëpunuese me partnerët ndërkombëtar. Jemi munduar t’i harmonizojmë qëndrimet për të gjitha çështjet. Ne kemi kontakte të rregullta me partnerët tanë ndërkombëtar. Ndodhë edhe të mos pajtohemi për shumë çështje, por ne flasim hapur me ta.
Prapaganda e pushtetit, është munduar t’i frikësojë qytetarët se si opozita është kundër ndërkombëtarëve, por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Ne jemi partnerë dhe punojmë bashkërisht, për të mirën e Kosovës dhe të mirën e ndërsjellë.
Nëse shkojmë në zgjedhje dhe del fituese PDK, a do te shkonit ne koalicion me këtë parti nëse ju bënë ftesë?
Haradinaj: Se kush do të dalë fitues do ta vendosë elektorati. Ajo që insistoj unë është që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Unë nuk po shoh rrugë tjetër se si të dilet nga kjo krizë e thellë politike, përpos me zgjedhje. Sa më parë ta kuptojnë këtë edhe partnerët e koalicionit aktual qeverisës, është shpëtim edhe për ta. Sa i përket koalicioneve pas zgjedhjeve, ato do t’i përcaktojë vota!
A keni pretendime që ende te jeni kryeministër i Kosovës?
Haradinaj: Unë nuk kam asnjë pretendim personal. Do të jem i gatshëm të japë çfarëdo kontributi dhe të marrë çfarëdo përgjegjësie, vetëm që vendi t’i kthehet normalitetit, zhvillimit, prosperitetit dhe më në fund integrimit në familjen evropiane.
Pse sipas juve, në Kosovë duhet të qeverisë, AAK, NISMA, VV dhe jo PDK e LDK?
Haradinaj: Kjo s’ka të bëjë me PDK-LDK, po me qeverisjen e keqe. Kjo ka të bëjë me një qeveri, ku krerët e saj e kanë shkelur kushtetutën dhe ata duhet të tërhiqen nga kjo logjikë e qeverisjes. Nuk mundet që vendi të jetë peng i dy njerëzve dhe i tekave të tyre. Në PDK dhe në LDK, ka shumë njerëz të mirë, por ne jemi kundër kësaj qeverie dhe kundër këtij kursi qeverisës.
A keni besuar gjatë kohës së VLAN’it, se do të largohet nga ju Isa Mustafa dhe do të bashkohet me Thaçin?
Haradinaj: Po!
A do ta kishit bërë edhe ju një veprim të tillë nëse kishit marr ftesë nga Thaçi?
Haradinaj: Unë jam i edukuar që t’i zbatojë marrëveshjet. Jam i ndërtuar që ta mbajë fjalën. Unë kisha vlerësuar se Kosovës i duhej ndryshimi, prandaj dhe pata përjashtuar çdo mundësi të një marrëveshjeje eventuale me ata që e kishin pushtetin.