UBT

Haradinaj i palëkundur pas takimit me Metën: Të tërhiqen marrëveshjet dhe të lirohen të burgosurit politikë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ishte përpjekur për ta gjetur një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në vend.Haradinaj e ka vlerësuar iniciativën e Metës, por ka thënë se opozita nuk ka ndryshuar qëndrim. “Qëndrimi ynë është anulimi i marrëveshjeve dhe lirimi i të burgosurve politikë”, është shprehur ai.

Sa i përket thirrjes se kryeministrit Mustafa për një takim me liderët e opozitës, Haradinaj ka theksuar se opozita nuk shkon në takim te kryeministri. “Ne nuk shkojmë në takim me kryeministrin. Është një ftesë e vonuar dhe e thatë”, ka deklaruar Haradinaj në një intervistë për Epokën e Re.

Lideri i AAK-së, ka paralajmëruar se këto do ditë opozita mund të ketë takime edhe me presidenten Atifete Jahjaga.

Z. Haradinaj sot keni pasur një takim në Prishtinë me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Cili ishte qëllimi i takimit?

Haradinaj: Biseda ishte krejtësisht e fokusuar te gjetja e një mundësie për t’iu kthyer normaliteti institucioneve institucionale. Pra, z. Meta ishte i interesuar për ta gjetur një zgjidhje, e cila do ta kthente normalitetin e jetës institucionale. Ai ka thënë se do t’i dëgjojë të gjithë për ta parë mundësinë e gjetjes së një zgjidhje.

Takimet me z. Meta kanë qenë të ndara?

Haradinaj: Unë e kam pasur takimin vetëm me z. Meta. Ne kemi një traditë të komunikimit me të edhe më herët.

Çfarë përgjigje i dhatë ju z. Meta për situatën politike?

Haradinaj: Unë gjatë bashkëbisedimit me z. Meta prezantova qëndrimin tim se dalja nga gjendja e tashmë është anulimi i marrëveshjeve të dëmshme për vendin dhe lirimi i atyre, që janë të burgosur politikë.

RCCOLA

A pati kërkesë z. Meta që të gjithë liderët të ulën në një tavolinë të përbashkët?

Haradinaj: Meta tha se në këtë etapë do të dëshironte t’i dëgjonte të gjithë.

Ju si e shihni këtë iniciativë të z. Meta?

Haradinaj: Çdo interesim për temat që kanë të bëjnë me situatën në Kosovë është i mirëseardhur. Pra kjo iniciativë e tij është e mirëseardhur. Meqenëse kemi një traditë të komunikimit me të gjithë, që vijnë nga Tirana zyrtare, ne jemi të interesuar që të bisedojmë.

Opozita mbetet në qëndrimin e njëjtë?

Haradinaj: Po. Ne e kemi pas rastin për të zhvilluar edhe takime të ndara si liderë opozitarë me presidenten e vendit. Mund të ndodhë që do të takohemi këto ditë sërish me presidenten Jahjaga. Kuptohet, qëndrimi ynë është anulimi i marrëveshjeve dhe lirimi i të burgosurve politikë.

Kryeministri Mustafa i ka ftuar në takim liderët opozitare, i cili ishte planifikuar të mbahet nesër. A ka ndryshuar qëndrim opozita rreth kësaj ftese?

Haradinaj: Ne nuk shkojmë në takim me kryeministrin. Është një ftesë e vonuar dhe e thatë. Është i njëjti kryeministër, i cili ia ka shkaktuar këto trauma vendit që disa muaj. Tash së fundi, pas gjithë kësaj, ai kërkon një takim të thatë, pa përmbajtje dhe nuk ka kuptim kjo sjellje e tij.