Haradinaj i kthen deputetët nga pushimi

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për çështjen e arrestimit të Ramush Hardinajt nga autoritetet franceze. Megjithatë, zyrtarisht sesioni pranveror i Kuvendit fillon më 16 janar. Ndërkaq, vlerësohet se sesioni pranveror do të jetë i përfshirë me tensione, ashtu siç ishte ai paraprak. Sipas deputetëve të opozitës dhe shoqërisë civile vetëm zgjedhjet mund të sjellin një frymë të re në parlament, shkruan sot, gazeta Zeri.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se Kuvendi nis punën në nisje të javës së tretë, të muajit janar.
Ai më tej ka thënë se kryesia tashmë ka nisur punën, ndonëse zyrtarisht është ende në pushim. Ndërkaq, ka vlerësuar se në Kuvend do të ketë tensione edhe përgjatë vitit 2017.
“Unë besoj se nuk do të ketë përplasje, të cilat nuk janë të civilizuara, por përplasje, debate, tensione, argumente do të ketë gjithmonë”, ka shtuar Haliti.
Nga ana tjetër, deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se sesioni pranveror nuk do të jetë më ndryshe nga ai paraprak.