Haradinaj: Faleminderit Kosovë
Ramush Haradinaj ka mbërritur në Aeroportin e Prishtinës diku pas orës 17:15, pasi që Tribunali i Hagës e shpalli atë sot të pafajshëm dhe e liroi nga të gjitha akuzat që e ngarkonin atë dhe dy ish bashkëluftëtarët nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Lahi Ibrahimaj e Idriz Bala, me krimet e luftës.
Haradinaj është kthyer në Prishtinë përmes një linje direkte nga Haga me protokoll shtetëror të mundësuar nga Qeveria e Kosovës.
Në Aeroportin e Prishtinës ai është pritur nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe familjarë e të afërm.
Pas zbritjes nga aeroplani, Haradinaj ka ecur nëpër tepihun e kuq dhe me nderimet e Gardës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në Aeroportin e Prishtinës, Thaçi e Haradinaj janë prononcuar së bashku, ku ata vlerësuan se vendimi i Tribunalit të Hagës ishte dëshmi për luftën e drejtë të UÇK-së.
Lirimi i Haradinajt, tha kryeministri Thaçi, është lajm i mirë për familjen, qytetarët dhe Kosovën, por edhe për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pafajësia e Haradinajt, vijoi Thaçi, është plotësim i festës së flamurit dhe 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
“Është një lajm i gëzuar. Është një lajm që i takon dhe që ndërlidhet drejtpërdrejtë me luftën e pastër dhe të drejtë që kemi zhvilluar si Ushtri Çlirimtare e Kosovës”, është shprehur Thaçi.
Në anën tjetër, Haradinaj ka falënderuar kryeministrin Thaçi për pritjen dhe ndihmën e ofruar gjatë gjykimit në Hagë. Ai tha se gjatë gjithë kohës ka jetuar me Kosovën, gëzimet dhe hallet e saj.
“Edhe pse në një proces të gjatë, unë kam jetuar me ju me vendin. Jam gëzuar për të arriturat, për fitoret. Jam mërzitur për vështirësitë, për sfidat”.
“Por, sot jam i gëzuar që drejtësia ndërkombëtare e ka konfirmuar se rruga jonë për liri ka qenë e pastër dhe e drejtë dhe po ashtu na mundëson që edhe rruga para nesh do të jetë e mirë dhe ne do të mundemi së bashku t’i tejkalojmë sfidat që na presin”, ka thënë Haradinaj në paraqitjen e tij të parë në Aeroportin e Prishtinës pas kthimit nga Haga.
Haradinajn po e presin edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të mbledhur si tek Aeroporti ashtu edhe në qendër të Prishtinës, ku ai pritet t’u drejtohet edhe me një fjalim përshëndetës. /REL/
Të pafajshëm
Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi ka liruar nga të gjitha akuzat ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Lirimi përfundimtar nga të gjitha akuzat është bërë më se shtatë vite nga ngritja e aktakuzës periudhë brenda së cilës është mbajtur gjykimi dhe rigjykimi.
Ramush Haradinaj e Idriz Balaj në të dyja verdiktet janë shpallur të pafajsëm derisa Lahi Brahimaj kishte qenë i dënuar fillimisht me gjashtë vite burg. Edhe Lahi Brahimaj tashmë është i pafajshëm ndërsa të tretë së bashku do të arrijnë në Prishtinë pasditen e sotme.
Vendimi i rigjykimit të pjesshëm që zhvillohej me akuzën për “vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës” u lexua nga gjykatësi i rastit, Bakone Justice Moloto.
Prokuroria sipas tij nuk ka arritur që të bindë gjykatën me prova për dyshimet që i ka ngritur ndaj tre ish-ushtarëve të UQK-së në Zonën e Dukagjinit.
Fjalët e gjyqtarit janë përcjellë nga qindra qytetarë, që po e përcillnin këtë ngjarje përmes një ekrani gjigant të vendosur në qendër të Prishtinës. Me të kuptuar lajmin për lirimin përfundimtar të tre personave, në sheshin kryesor të kryeqytetit janë ndezur qindra fishekzjarrë.
Kënga dhe vallja po vazhdon edhe tash dhe atë jo vetëm në shesh por edhe para selisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetar i së cilës është Ramush Haradinaj.
Festa është duke u zhvilluar edhe në Gllogjan të Deçanit, vendlindjen e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
Partia që e drejton Haradinaj është në përgatitje të kthimit në Kosovë të komandantit të dikurshëm ndërsa pritja është paralajmëruar se do të bëhet me ceremoni shtetërore.
Mbrojtësi i Ramush Haradinajt, avokati Ben Emmerson me të përfunduar kjo “betejë” e ish-kryeministrit, ka thënë se Haradinaj do të kthehet sonte në Kosovë dhe atë si udhëheqës.
“Ai kërkoi nga unë që të them se ai do të kthehet këtë mbrëmje në Kosovë, dhe me pëlqimin e popullit, do të marrë pozitën si lider politik i vendit, duke drejtuar një Qeveri që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht gjuhës që flasin, prej nga vijnë dhe prejardhjes etnike. Është koha për pajtim”, ka cituar Emmerson fjalët e Ramush Haradinajt.
Deklarata e plotë e Emmerson është bërë me dije në një konferencë që AAK-ja ka mbajtur pak kohë pas shpalljes së vendimit nga ana e Tribunalit.
Ramush Haradinaj, i cili dikur ishte komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, Idriz Balaj, që ishte gjatë luftës komandant i njësisë së UÇK-së “Shqiponjat e Zeza” në Dukagjin, dhe Lahi Brahimaj, pjesëtar i dikurshëm i UÇK-së në Shtabin e UÇK-së në Jabllanicë të Gjakovës, janë duke u përballur me Tribunalin e Hagës që nga 4 marsi i 2005-ës kur edhe ishte ngritur aktakuza e parë kundër tyre.
Aktakuza ishte ngritur për pretendimet se janë kryer krime lufte në zonën e Dukagjinit mes 1 marsit dhe 30 shtatorit të vitit 1998 ndërsa tre ish-luftëtarët akuzoheshin se kanë komanduar e kryer këto krime në kuadër të pozitave që mbanin.
Duke parë se aktakuza ishte ngritur, Ramush Haradinaj kishte dhënë katër ditë më vonë, më
8 mars 2005, dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pozitë që kishte nisur më 3 dhjetor të vitit 2004.
Një ditë pas dorëheqjes, Ramush Haradinaj bashkë me dy shokët e luftës ishin dorëzuar në Hagë ku kishte filluar gjykimi më 5 mars të vitit 2007. Më 3 prill të vitit 2008 Dhoma Gjyqësore e Tribunalit kishte shpallur aktgjykimin sipas të cilit, Haradinaj dhe Balaj ishin shpallur të pafajshëm lidhur me të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndërsa Lahi Brahimaj ishte dënuar me gjashtë vjet burgim për trajtim mizor dhe torturim të dy personave në shtabin e UÇK-së në Jabllanicë.
E pakënaqur me këtë vendim, prokuroria kishte paraqitur ankesë për çka në 21 korrik të 2011 Dhoma e Apelit e Tribunalit e kishte shfuqizuar pjesërisht vendimin e pafajësisë ku edhe kishte urdhëruar, për herë të parë në historinë e Tribunalit, rigjykim për tre ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Dhoma e Apelit kishte konkluduar se Dhoma Gjyqësore “nuk kishte marrë masat të mjaftueshme kundër frikësimit të dëshmitarëve që përshkoi procesin gjyqësor, dhe në veçanti nuk ndihmoi Prokurorinë në kërkesat e saj për të siguruar dëshminë e dy dëshmitarëve”.
Një muaj pas kthimit të rastit, më 18 gusht të vitit të kaluar kishte filluar rigjykimi për gjashtë pika të aktakuzës, për trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve në burgun e UÇK-së në Jabllanicë.
Më 20 prill të këtij prokuroria e Tribunalit, përkatësisht prokurori Paul Rogers ka kërkuar burgim me së paku 20 vjet për secilin të akuzuar me pretendimin se janë vërtetuar krimet e luftës që ata i kanë bërë. Argumentet përmbyllëse të palëve në Tribunal janë dëgjuar në fund të qershorit kur edhe ishte paralajmëruar se shpallja e aktvendimit përfundimtar do të bëhet pas muajit shtator.(zeri)