Uji Dea

Haradinaj: FAK duhet të quhet Ushtria e Kosovës

/ 3 minuta lexim

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka cilësuar më shumë si pjesë të zhargonit parazgjedhor deklarimet dhe qëndrimet e partive politike të Kosovës, por edhe të qeverisë, rreth emërtimit të forcës së ardhshme të armatosur të Kosovës.

Këto komente Haradinaj i bëri gjatë ditës së sotme, ku departamenti për Politika të Mbrojtjes dhë të Sigurisë i AAK-së, ka organizuar tryezën me temë “Vizioni i AAK-së për Politikat e Mbrojtjes dhe të Sigurisë”, në të cilën janë shtjelluar çështje të shumta të kësaj teme.

“Ajo duhet të quhet Ushtria e Kosovës, dhe AAK këtë e parasheh edhe me program”, është shprehur Haradinaj.

“Jemi dëshmitarë se gjithë këto vite të pasluftës, po flasim për vitet e qeverisjes si shtet i pavarur, ka munguar një qasje e kujdesshme, serioze lidhur me politikat e mbrojtjes, përgjegjësive por dhe për Ushtrinë e Kosovës. Po ashtu jemi dëshmitarë se Ushtria e Kosovës është kthyer në një kauzë zgjedhore, kur njoftohet për planet për FAK-un. Ju them sinqerisht se e tëra nuk mjafton si e tillë, as qasja e deritashme as mënyra e lajmërimit të Forcës së Armatosur të Kosovës, por as ajo që ka pasur pas këtij lajmërimi zgjedhor, pas këtij lajmi zgjedhor nga kryetari i Qeverisë, Hashim Thaçi”, ka thënë Haradinaj.

Mobi Casa

“Do ta quaja këtë moment një fitore në këtë drejtim sepse pa marrë parasysh ngecjet dhe në një masë edhe mashtrimet që kanë ardh nga Qeveria e vendit, rreth këtyre temave, megjithatë ekzistojnë njerëz që punojnë seriozisht në këtë drejtim”, ka thënë kryetari i AAK-së.

Ndërkaq, eksperti i AAK-së, Riza Smaka, ka argumentuar pse forcat e armatosura duhen të quhen ushtri, kurse kryesuesi i Departamentit për Politika të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Rrustem Berisha ka bërë të ditur se AAK parasheh që forca mbrotjëse të quhet Ushtri e Kosovës si dhe të krijohet Ministria e Mbrotjes.

Berisha tha se politika e mbrojtjes së AAK-së është e harmonizuar me infrastrukturën ligjore të BE-së dhe NATO-s. Ai tha se kjo politikë nuk duhet të shihet asesi si “shprehje e armiqësisë” për ndonjë “pretendim territorial.

“Programi i AAK-së për Qeverinë e re, paraqet risi në fushën e politikave të mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, me orientim të thellë Evropian dhe Euroatlantik. Ky program do të jetë në përputhshmëri të plotë me programet dhe konceptet e të gjithë dikastereve të sektorit të sigurisë në Kosovë, me qëllim të ndërtimit të infrastrukturës së harmonizuar ligjore për integrime në NATO dhe BE dhe objektivi ynë strategjik është që FSK-në ta shndërrojmë në Ushtri profesionale, të besueshme, e cila do të ndërtohet sipas standardeve të NATO-s, dhe do të jetë e gatshme për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe e përgatitur për pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare në mbështetje të paqe në botës”, ka thënë Rrustem Berisha.