RCCOLA

Haradinaj: Është koha e fundit që Kurti t’i lexojë drejtë porositë e SHBA-së, Kosova nuk ka kohë për të humbur

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është koha e fundit që kryeministri Albin Kurti t’i lexojë drejtë porositë e miqve të palëkundur të Republikës së Kosovës, të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, të ofruara me dashamirësinë dhe mirëkuptimin e aleatëve dhe partnerëve në dëshminë e fundit të Escobar.

Në një shkrim në llogarinë sociale Facebook, Haradinaj theksoi se Kurti duhet të largohet nga temat tensionuese dhe destruktive, ku sipas tij, vegjetojnë liderët pro-rus, sikurse janë dhe do të vazhdojnë të mbesin Dodik dhe Vuçiq.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe politikë-bërësit e saj, edhe kësaj radhe po inkurajojnë Kosovën t’u qëndrojë zotimeve, të hapë rrugë për afirmim ndërkombëtar, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, për fushatë globale të njohjes, për avancim në integrim evropian dhe për zhvillim social e ekonomik, për vendosmëri në proces të rrugëtimit drejt NATO-s dhe BE-së. Këtu qëndrojnë, këtu i gjejmë dhe këtu na presin miqtë tanë strategjikë”, u shpreh Haradinaj.

Hidromorava

Ish-kryeministri, shtoi se Kosova e ka për detyrim ta bëjë pjesën e saj, dhe ta përqafojë mbështetjen e parezervë të ShBA-ve dhe aleatëve, në mbylljen e plasaritjeve dhe shtigjeve të ndërhyrjeve nga Rusia dhe Kina në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Kurti mund të ketë ritmin dhe orën e tij, por Kosova nuk ka kohë për të humbur, veçmas kur porositë dhe pritjet e aleatit tonë janë të qarta dhe të drejtpërdrejta.

“Koha është tash”, shkroi Haradinaj./Telegrafi/