RCCOLA

Haradinaj: Dashuria për ShBA-në është speciale

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – “Jemi unik dhe të veçantë sa i përket dashurisë sonë për ShBA-në dhe për këtë kemi arsye të fuqishme. Dhe ne duam që këtë dashuri për ShBA-në ta shndërrojmë në marrëdhënie speciale”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë lamtumirëse, të organizuar në nder të ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në përfundim të mandatit të tij në Kosovë.

Para të pranishmëve të shumtë, Kryeministri Haradinaj duke shprehur mirënjohje të thellë për shërbimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, tha se Delawie, është arsyeja e bashkimit të sotëm në këtë ceremoni lamtumirëse.

“Pashë edhe shumë kolegë të komunitetit serb, deputetë dhe kryetarë të komunave. Ambasador, ju jeni arsyeja e bashkimit tonë sonte në nderim tuajin dhe të shërbimit tuaj në vendin tonë. Ajo çfarë dua të them, është se, neve na mbetet edhe diçka për të arritur. Dhe ajo është pozita e privilegjuar e Kosovës krahas ShBA-së. Është një shtet në botë, dhe besoj që jemi unik në dashurinë për ShBA-në dhe për këtë kemi arsye të fuqishme” tha Kryeministri Haradinaj.

Mobi Casa

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje dhe u shpreh tejet i emocionuar që tashmë po kthehet në shtëpinë e tij, por në të njëjtën kohë edhe i mërzitur që po largohet nga Kosova.
Në ceremoninë lamtumirëse për ambasadorin e SHBA-së Greg Delawie, folën edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Të pranishëm në këtë pritje lamtumirëse për ambasadorin Delawie, të organizuar nga Kryeministri Haradinaj ishin edhe anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë, kryetar të Komunave, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të institucioneve fetare, të shoqërisë civile dhe të mediave./rajonipress/