Hapje e zbehtë dhe pa energji, opozita në Gjilan ende larg mobilizimit real
Gjilan – Nisja e fushatës zgjedhore nga dega e LDK-së në Gjilan ka nxitur reagime dhe pakënaqësi në opinion, për shkak të numrit të vogël të pjesëmarrësve dhe atmosferës që u vlerësua si e vakët për një subjekt me histori dhe peshë politike në Anamoravë. Në një kohë kur qytetarët presin një opozitë më agresive dhe më të organizuar përballë pushtetit aktual, hapja e fushatës u perceptua nga shumë qytetarë si një organizim pa energji dhe pa mobilizim serioz elektoral.
Përkundër pakënaqësive të shumta ndaj qeverisjes qendrore dhe lokale, opozita në Gjilan duket se ende nuk ka arritur ta shndërrojë këtë klimë në frymë mobilizuese. Qytetarë të shumtë po shprehin habi me mungesën e entuziazmit dhe aktivizimit në terren, duke vlerësuar se një betejë politike nuk fitohet me fushata formale apo tubime simbolike.
Në qarqet politike lokale po vlerësohet se mungesa e energjisë në terren mund të jetë sinjal i një distance mes strukturave partiake dhe elektoratit tradicional, i cili pret më shumë vizion, organizim dhe afërsi me qytetarin.
Përkundër faktit se LVV në nivel vendin dhe në Gjilan nuk ka bërë asnjë projekt domethënës për Gjilanin e Anamoravën, përkundër faktit se qeverisja e Alban Hysenit është përfshirë në skandale e në mos punë totale, opozita në Gjilan po tregohet qesharake dhe e papërgatitur për ta mposhtur këtë stërkeqje degraduese.
Ndërkohë, kreu i degës së LDK-së, Lutfi Haziri, në postimin e tij ka bërë thirrje për bashkim politik dhe mobilizim të elektoratit rugovist, duke akuzuar qeverinë aktuale për izolim të Gjilanit dhe Anamoravës nga investimet dhe zhvillimi institucional. Ai ka theksuar se LDK synon rikthimin e Gjilanit si qendër politike, arsimore, kulturore dhe ekonomike të rajonit.
Megjithatë, sfida kryesore për opozitën mbetet rikthimi i besimit qytetar dhe krijimi i një fryme reale mobilizuese, në një kohë kur qytetarët kërkojnë më shumë veprim konkret dhe më pak retorikë politike.
Postimi i plotë i Lutfi Hazirit:
Me thirrjen e madhe të bashkimit me besim në Zot, familje e atdhe, e nisëm sonte fushatën elektorale në Gjilan, me dashni për këtë qytet e këtë Republikë
Jemi bërë bashkë të gjithë Rugovistët, për të mos ia falur asnjë minutë kësaj qeverie në detyrë, e cila Gjilanit i solli këto gjashtë vite depresion të thellë politik e ekonomik.
Ne, ushtarët e Ibrahim Rugovës nga Gjilani, refuzojmë përjashtimin që i është bërë Gjilanit e Anamoravës nga investimet kapitale e në përfaqësim, sikur që refuzojmë të ecim nëpër terrin politik e në këtë krizë institucionale.
Ne zotohemi se kësaj nahie do t’ia rikthejmë epitetin e kryeqendrës politike, arsimore, të kulturës, sportit e sigurisë, sepse ne e duam Gjilanin dhe Republikën më shumë se partinë.
Mos e le pa dalë sot (28 maj 2026), në hapjen e madhe të LDK-së në Prishtinë, me fillim në ora 18:00, në sallën 1 Tetori.
Nga ky vend i Rugovistëve, i bëjmë homazh veprimtarit të madh të çështjes kombëtare e burrështetasit, Hafiz Gagica, i cili na la vetëm fizikisht, por do ta kujtojmë përjetë për kontributin e jashtëzakonshëm në lëvizjen politike për liri, pavarësi e demokraci!


