Hidromorava

Hapet shqyrtimi publik për planin rregullues të lagjes “Arbëria I”

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan- Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit (DUMM) ka hapur të hënën shqyrtimin dhe prezantimin publik për projekt-planin rregullues urban të lagjes “Arbëria I”, për t`iu dhënë mundësinë qytetarëve të kësaj zone që brenda periudhës së ardhshme një mujore, t`i paraqesin vërejtjet e tyre eventuale në këtë dokument që përcakton profilin zhvillimor të lagjes, në përputhje me planin urban të qytetit.

Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, ka thënë se plani përfshin një sipërfaqe prej rreth 100 hektarësh dhe është hartuar nga kompania “Hidro-Ing-DK” nga Prishtina, duke nënvizuar se në këtë projekt është punuar prej vitit 2011, ndërsa shqyrtimi i parë publik është mbajtur në korrik të këtij viti.

Ajo tha se sugjerimet e qytetarëve janë analizuar dhe shqyrtuar me shumë kujdes në drejtori, por theksoi se atyre u lihet mundësia që të interesohen për pronat e tyre edhe gjatë një muaji të ardhshëm, duke u paraqitur në drejtori për çdo ditë pune, ku mund të marrin të gjitha informacionet detale rreth planifikimit në këtë zonë, që siç tha Fadil Sherifi nga kjo drejtori, është hartuar duke i marrë parasysh edhe sugjerimet e tyre në një anketimin të realizuar me banorët e lagjes.

Orhan Morina, përfaqësues i kompanisë projektuese “Hirdo-Ing-Dk” prezantoi gjendjen ekzistuese si dhe zgjidhjet e propozuara në këtë lagje, ku siç tha ai, janë anketuar mbi 90 për qind e banorëve.

Mobi Casa

Lagja, aktualisht ka 1375 objekte dhe përbëhet kryesisht prej pronave private, derisa në pronësi publike janë vetëm 4 parcela. Rreth 56 për qind e zonës është pjesë e pandërtuar.

Plani parasheh që kjo lagje të ketë banim individual në pjesën më të madhe të saj dhe në disa pjesë edhe banim kolektiv. Disa zona të saj do të zhvillohen me banim individual, plus afarizëm si dhe me banim kolektiv, plus afarizëm.

Në profilin urban të kësaj lagje, që parashihet t`i ketë rreth 4 mijë banorë, janë planifikuar 2 shkolla, 4 çerdhe si dhe një institucion shëndetësor.
Përfaqësuesit e kompanisë projektuese si dhe ata të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit kanë dhënë sqarime konkrete në pyetjet e qytetarëve Jeton Ahmeti, Nevzat Piraj dhe të tjerëve, rreth planifikimit në pjesët ku ndodhen pronat e tyre.

Pjesëmarrja e qytetarëve në shqyrtim publik ka qenë e vogël, por ata e kanë mundësinë t`i shfaqin interesimet e tyre edhe për tridhjetë ditë të tjera, në lokalet e DUMM./rajonipress/