Hapet shqyrtimi publik për planin rregullues “Qarku I”

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan- Drejtoria për Urbanizëm ka prezantuar të enjten planin e zonës “Qarku I”, duke përmbyllur kështu procesin e hartimit të planeve për zonat “Arbëria I”, “Dheu i Bardhë” “Montith” Livadhet e Arapit” dhe “Qarku”, të cilat do të jenë në shqyrtim publik gjatë tridhjetë ditëve të ardhshme, për t`iu dhënë qytetarëve dhe një mundësi që t`i shohin ato të ekspozuara në ambientet e drejtorisë dhe t`i paraqesin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre eventuale.

Bahrije Mahmuti-Beqiri, drejtoreshë për Urbanizëm dhe Fadil Sherifi, shef i Sektorit të Planifikimit, kanë thanë se plani ekzistues i zonës “Qarku I” që shtrihet përgjatë rrugës Gjilan-Ferizaj dhe është pjesë e zonës “Qarku” është reviduar, për ta harmonizuar me interesat e qytetarëve, pasi që në këtë pjesë ka qenë i planifikuar kryesisht banimi kolektiv, ndërsa tani është ridestinuar për banim individual, kolektiv dhe të përzier.

Luan Kabashi nga kompania projektuese “Linprojekt” tha se zona shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 72 hektarësh dhe mbi 70 për qind e saj është e pandërruar. Parashihet të ketë një shkollë fillore, tri çerdhe, një ambulancë, një njësi administrative, rrjetin e ujërave të zeza dhe atmosferik, ujësjellësin, rrjetin e nxehjes qendrore, pesë nënstacione të transportit urban, rrjet rrugor me shirita për këmbësorë dhe çiklistë si dhe përmbajtje tjera që e bëjnë funksionale një lagje bashkëkohore.

UBT

Përfaqësuesit e kompanisë hartuese, por edhe ata të Drejtorisë së Urbanizimit, janë përgjigjur edhe në interesimet konkrete të qytetarëve Hysen Ajeti, Nexhat Bllaca, Mehmet Rashiti dhe të tjerë, rreth planifikimit të hapësirave ku ata i kanë pronat e tyre.

Drejtoresha Bahrije Mamuti dhe shefi i sektorit të Planifikimit Fadil Sherifi i kanë inkurajuar qytetarët, përfshirë edhe ata që kanë prona në katër zonat tjera, që të paraqitën në DUMM, brenda afatit prej 30 ditëve të ardhshme dhe atje do të marrin sqarime të plota për të gjitha vërejtjet që mund t`i kenë.
Mahmuti ka thënë se planet i kanë kaluar të gjitha procedurat paraprake që i kërkon ligji dhe tani kanë arritur në shqyrtim publik, pas të cilit do të dërgohen në procedura të mëtejme për miratim.

Ajo ka thënë se sugjerimet e pronarëve janë marrë parasysh edhe në fazën e deritashme të planifikimit dhe ato janë përfshirë në skenarin përfundimtar të secilës zonë, për aq sa ka qenë e mundur të harmonizohen me interesat e përgjithshme të planeve rregulluese. /rajonipress/