Hapet qendra e arteve bashkëkohore

Gjilan- Organizata multi-artistike “Varg e Vi” nga Gjilani e cila kryesisht merret me aktivitete kulturore, performanca, ekspozita, workshope , trajnime dhe edukim mbi artet bashkëkohore është hapur të shtunën solemnisht në prani të shumë krijuesve dhe njerëzve artdashës.
Të shtunën edhe zyrtarisht është hapur Qendra për Arte Bashkëkohore në Gjilan. Në ceremoninë e hapes ishte i pranishëm edhe Qemajl Mustafa e Veton Nevzadi.
Jeton Muja, kryetar i organizatës multi-artistike “Varg e Vi” nga Gjilani me këtë rast ka falënderuar institucionet komunale për përkujdesjen duke përshkruar në mënyrë të detajuar natyrën e aktiviteteve të cilat do t’i zhvillojë kjo qendër.
Muja tha për rajonipress se qëllimi kryesor dhe i vetëm i Qendrës mbetet zhvillimi i artit bashkëkohorë në komunën e Gjilanit, Kosovë dhe më gjerë, duke nxitur artistët e rinj dhe të të gjitha brezave, të shfaqin kreativitetin e tyre origjinal dhe format e reja të artit bashkëkohor.
Muja tha se Gjilanit i është dashur një qendër bashkëkohore. Kurse Qemajl Mustafa ka thënë se kjo qendër do të jetë në shërbim të artistëve, gjeneratave të reja dhe në shërbim të komunitetit artdashës.
Mustafa tha se ndihet i relaksuar që ka pasur mundësi të ndihmojë këtë eveniment të rëndësishëm kulturor.
Avni Rudaku pjesë e OJQ “Varg e Vi” tha se qëllimi i kësaj qendre është zhvendosja nga shabllonet tradicionale të organizimit të ekspo- performancave në nivel bashkëkohor. “Kjo do të jetë një qendër e artit alternativ e organizuar krejt ndryshe duke dashur të jemi në rrjedhat bashkëkohore të sendërtimit të vlerave”.
Edhe Rudaku tha se përfitues të kësaj qendre do të jenë gjeneratat e reja meqë këtu do të ketë vend për debate, diskutime, tryeza dhe mendime ndryshe. Organizata multi – artistike “Varg e Vi” ka 8 anëtar prej tyre ka artist vizual, aktor, muzicient dhe poet. /rajonipress/