RCCOLA

Hapet panairi regjional i bletarisë në Gjilan

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Nazmi Rapuca, drejtor për Bujqësi ka thënë se në Kosovë, llogaritet të jenë rreth 6.900 bletarë, me gjithsej 70.000 shoqëri bletësh. Vetëm komuna e Gjilanit ka 109 bletarë, me gjithsej 2262 shoqëri bletësh. “Kosova, regjioni ynë dhe Gjilani, kanë kapacitete natyrore për trefishimin e numrit ekzistues të shoqërive të bletëve.

Në Gjilan është hapur të premten panairi i katërt regjional i prodhimeve të bletës “Gjilani 2012”.

Ky panair, tashmë tradicional, ka për qëllim promovimin e bletarëve dhe të prodhimeve të bletës, këmbimin e përvojave mes pjesëmarrësve, furnizimin e qytetarëve me prodhime të freskëta dhe origjinale të bletës, siç janë mjalti, poleni, propolisi, dylli, qumështi i bletëve dhe të tjera si dhe gjenerimin e të ardhurave të bletarëve nga shitja e këtyre prodhimeve.

Dihet se bletët janë të rëndësishme për jetën e njeriut, jo vetëm për vlerën që kanë prodhimet e tyre, por aq më tepër për shkak se ato mundësojnë polenizimin e bimëve, sidomos të kulturave bujqësore, duke shtuar kështu rendimentin dhe cilësinë e tyre.

Nazmi Rapuca, drejtor për Bujqësi ka thënë se në Kosovë, llogaritet të jenë rreth 6.900 bletarë, me gjithsej 70.000 shoqëri bletësh. Vetëm komuna e Gjilanit ka 109 bletarë, me gjithsej 2262 shoqëri bletësh. “Kosova, regjioni ynë dhe Gjilani, kanë kapacitete natyrore për trefishimin e numrit ekzistues të shoqërive të bletëve”, ka thënë Rapuca.

Sipas tij, për më shumë duhet mbjellë bimë mjaltë formuese. Ai shprehet i pakënaqur me rendimentin e sivjetmë të bletarëve. Për shkak të mbarështimit të dobët, jo profesional dhe nganjëherë për shkak edhe të kushteve klimatike, si është rasti i këtij viti, në regjionin tonë, rendimenti për shoqëri të bletëve është i ulët.

RCCOLA

Në bazë të të dhënave nga Lidhja e Bletarëve, ky rendiment sivjet sillet në mesatare rreth 14 kilogramë mjaltë për shoqëri bletësh, ndërkaq që rendimenti optimal do të duhej të ishte mbi 25 kilogramë mjaltë për një shoqëri të bletëve. Për shkak të rëndësisë që ka bletaria, qoftë si biznes për krijimin e të ardhurave, qoftë për shkak të vlerës së prodhimeve të bletës në të ushqyerit e njeriut, apo qoftë edhe për shkak të ndikimit të tyre në polenizimin e kulturave bujqësore, institucionet tona kanë filluar të përkrahin zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Sivjet, Ministria e Bujqësisë subvencionoi me nga 10 € për shoqëri të gjithë bletarët që kultivojnë 30 e më tepër shoqëri bletësh. Edhe komunat, kush më shumë e kush më pak, nga buxheti i tyre dhe ndihmat e donatorëve po mbështesin bletarinë. Komuna e Gjilanit, këtë vit ka ndihmuar 66 bletarë të vegjël me 200 shtëpiza për bletë.

Gjithashtu, kjo komunë, në bashkëfinancim me Karitasin e Luksemburgut, ka mbështetur 30 bletarë nga fshatrat Kishnapole, Gadish dhe Sllakoc, me nga 5 shoqëri bletësh. Në një projekt tjetër, ku Karitasi i Luksemburgut merr pjesë me 50 për qind, komuna me 12.5 për qind dhe vetë përfituesit me 12.5 për qind të tjera, deri në fund të muajit tetor të këtij viti, edhe 20 bletarë tjerë do të përfitojnë nga 10 shoqëri bletësh.

Halil Dërmaku, nënkryetar i Lidhjes së Bletarëve të Kosovës, tha se resurset natyrore që ka Anamorava premtojnë rritje të kapaciteteve në bletari.

Sipas tij, edhe vullneti i bletarëve nuk mungon. “Bletarët, përveç mjaltit që marrin nga bletët, ata për çdo vit po pajisen me përvoja edhe më të avancuara në këtë lëmi, duke marrë edhe prodhime të tjera nga bletët siç janë dylli, poleni, propolisi dhe qumështi i bletës, kurse qytetarët kanë mundësinë të mësojnë më shumë për mjaltin si prodhim i pazëvendësueshëm ushqimor, shërues dhe dietal”, ka thënë Dërmaku.

Panairi organizohet nga Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari e Gjilanit, në bashkëpunim me shoqatat regjionale të bletarëve./rajonipress/