Hapet ekspozita në nderim të artistit Shqiprim Hyseni
Viti – Në Galerinë e Arteve në Viti, është hapur ekspozita e fotografisë “1+24” , e para e organizuar si e tillë në komunën e Vitisë, e cila njëherit është mbështetur nga kryetari i komunës së Vitisë, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e kësaj komune.
Me fotografitë e tyre, në këtë ekspozitë kanë marrë pjesë 25 artistë të artit fotografik nga Shqipëria, Maqedonia, Presheva dhe Gjermania, e që në mesin e fotografive të ekspozuara edhe dy të artistit tashmë të ndjerë Shqipërim Hyseni, të cilit edhe iu dedikua kjo ekspozitë.
Në hapjen e ekspozitës, drejtoresha për Kulturë Rini e Sport në Viti Kaltrina Sylejmani, ka thënë se Shqiprim Hyseni është protagonist kryesor i kësaj ekspozite për të cilën është organizuar i gjithë ky eveniment. Ajo ka falënderuar edhe kuratorin e ekspozitës Fahredin Spahia iniciativa e së cilit ishte për këtë organizim dhe është mbështetur menjëherë nga institucionet komunale.
Ndërkaq kuratori i ekspozitës Fahredin Spahija, duke përmendur qëllimin e organizmit në nderim të Shqipërimit, tha se jemi mbledhur sonte këtu për ta nderuar emrin dhe personalitetin e tij të jashtëzakonshëm prej njeriut të urtë dhe shumë njerëzor, për ta nderuar talentin e tij të padiskutueshëm.
Ai me këtë rast ka evakuuar kujtimet nga momenti i kontakteve të para. “Pimi e krijonte një fotografi me ndjeshmëri të hollë dhe parandjenja se fotografia ishte arti që ai do t`i përkushtohej. Pimi edhe pse ndërroi jetë në moshë shumë të re, la pas vetes një numër të konsiderueshëm artistikë të cilat si familja ashtu edhe ne kolegët, duhet t`i marrim në përkujdesje dhe në kohëra pak sa më të volitshme kulturore t`i përmbledhim ato në një botim të veçantë”, tha Spahija.
Ai me këtë rast në mesin e 24 fotografive të autorëve të tjerë të ekspozitës së sotme veçoi 2 nga fotografitë më të arritura të koleksionit të trashëguara nga Shqiprimi, të cilat më së shumti do të rrëfejnë për talentin e madh që posedonte ai në fushën artistike./rajonipress/


