RCCOLA

Hani fruta, jetoni tri vjet më shumë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Bëhuni vegjetarian nëse dëshironi të jetoni më gjatë! Sigurisht ju e dinit që frutat dhe perimet janë më të mira për organizmin, por një studim i fundit thotë se nëse do t’i konsumoni ato 5 herë në ditë, ju do t’ju shtohen 3 vite jetë. Mos prisni më, por filloni nga “puna”…

Nëse hani të pakët 5 racione fruta dhe perime në ditë jeta juaj do të zgjatet. Lajmi vjen nga revista amerikane “Clinical Nutrition”, e cila ka publikuar rezultatet e një studimi të kryer në Stokholm, nga instituti “Karolinska”. Nuk është një surprizë, këtë e dimë mirë, sepse jemi të “bombarduar” nga shumë anë me informacione, të cilat thonë se një dietë e pasur qoftë me fruta apo perime i sjell shumë të mira organizmit tonë. Natyrisht frutat duhet të konsumohen ndërmjet vakteve, mundësisht të papërpunuara. Por le të shohim më në detaj:

Studimi italian

Është marrë një kampion prej 71.706 personash, gra dhe burra suedezë të moshave 45 deri 83 vjeç. Secilit prej tyre u është dhënë një pyetësor për të analizuar konsumin ditor të frutave dhe perimeve. Të dhënat janë krahasuar me ato të vdekjeve të regjistruara në 13 vitet e analizës apo studimit. Në këtë periudhë të gjatë kohore regjistroheshin mbi 11 mijë të vdekur, shumica meshkuj (6803 kundrejt 4636). Për doktorin Andrea Bellavia, i cili kryesoi ekipin hulumtues, “lidhja midis konsumit të frutave dhe perimeve me vdekshmërinë është analizuar shumë rrallë nga studime të mëdha. Edhe rezultatet e pakta të disa studimeve në dispozicion janë në kundërshtim apo kontradiktore. Objektivi ishte të shqyrtonim marrëdhënien ndërmjet dozave të frutave dhe perimeve të konsumuara dhe vdekshmërisë, si në aspektin e kohës po ashtu edhe të frekuencës, te një grup i madh burrash dhe grash në Suedi”.

Frutat dhe perimet zgjasin jetën

RCCOLA

Rezultatet ishin të qarta: një konsum i ulët i frutave dhe perimeve është i lidhur me një normë të ulët mbijetese dhe të lartë vdekshmërie. Ata të cilët nuk kanë konsumuar kurrë fruta dhe perime kanë jetuar tre vjet më pak dhe kanë pasur një normë vdekshmërie prej 53% në krahasim me ata të cilët kanë konsumuar 5 racione në ditë. Duke marrë parasysh vetëm frutat, ata të cilët nuk i kishin konsumuar kurrë ato kanë jetuar 19 muaj më pak se ata të cilët kishin ngrënë të paktën një frut në ditë. Për sa u takon perimeve, nga studimi ka rezultuar se 3 racione në ditë e zgjasnin jetën 32 muaj në krahasim me ata të cilët nuk e kishin konsumuar këtë sasi. Konsumi prej më pak se i 5 racioneve në ditë i frutave dhe i perimeve është i lidhur me një normë mbijetese progresivisht më të shkurtër dhe me një normë më të lartë vdekshmërie”, konkludoi dr, Bellavia.

Vegjetarianët jetojnë më shumë

Për shumë njerëz, dieta vegjetariane është e mistershme dhe konfuze. Ata mund ta kenë të vështirë të imagjinojnë një pjatë vegjetariane. Për ta, dieta vegjetariane duket boshe

dhe pa shije duke imagjinuar gjethe sallate dhe qepë. Por e vërteta qëndron ndryshe. Nëse ndiqni një dietë pa mish dhe peshk, por të pasur me fruta dhe perime ju do të jetoni më gjatë. Një studim i publikuar në revistën “JAMA Internal Medicine” dhe i kryer nga hulumtuesit në Universitetin Loma Linda, ka treguar se vegjetarianët kanë një rrezik prej 12% më të ulët për të vdekur sesa jovegjetarianët. Hulumtimi ka përfshirë 73.308 burra dhe gra. Pas analizave dhe eksperimenteve të ndryshme, prej disa vitesh, studimi demonstroi që vegjetarianët kishin një rrezik prej 12% më të ulët për të vdekur. Pra mos i paragjykoni më ata të cilët nuk bëhen pjesë e pjatave me mish të pjekur. Por madje filloni të bëheni vegjetarian nëse dëshironi të shihni edhe ca vite të tjera “diell”. Përparësitë e ushqimit vegjetarian janë të shumta: nutriciologët thonë se ai e zvogëlon e yndyrën në gjak e cila shkakton sëmundje të zemrës, gjithashtu i zvogëlon edhe radikalet e lira të cilat janë shumë të dëmshme. Sipas zbulimeve të reja përqindja e tumoreve te vegjetarianët është më e vogël siç janë tumoret e zorrës së trashë, gjirit dhe prostatës. Konsumimi i yndyrës te vegjetarianët është më i vogël kështu që edhe problemet në peshë tek ta janë më të rralla.