Hana, këpucëtarja e kryeqytetit

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

E veshur bukur dhe e rregulluar me shije, ajo çdo mëngjes, pasi vendos përparësen, fillon punën në zanatin, ku e ka gjetur veten. S’është frizere, as rrobaqepëse, nuk bën as pediker a manikyr si shumica e femrave me zanate të ngjashme, por ajo ka zgjedhur një zanat tjetër- këpucëtare.

Kjo është Hana Jahja –Demolli, 27-vjeçare nga Prishtina, e cila tash e tetë vjet punon si këpuctare bashkë me babanë dhe bashkëshortin e saj në lokalin me emrin “Te Axhi”, në lagjen “Kodra e Diellit”, në kryeqytet. Ajo këtë zanat shumë i rrallë te femrat, thotë se e ka trashëguar nga babai dhe nga gjyshi, të cilët një jetë të tërë janë marrë me rregullimin e mbathjeve Punën për rregullimin e këpucëve, Hana thotë se kryen me shumë kënaqësi. Madje, ajo thotë se kjo punë i kishte hyrë në qejf që kur ishte fëmijë.

“Kam pasur gjithmonë qejf të merrem me këtë punë, madje qysh kur isha e vogël, përzihesha në punët e babait. Pas përfundimit të një viti shkollor, mua gjithmonë më ke gjetur në lokalin e babait “, rrëfen Hana. Pas përfundimit të shkollës së mesme, babai i saj duke e parë interesimin por duke parë edhe punën e mirë që bënte ajo për rregullimin e këpucëve, i kishte propozuar të punonte si këpucëtare.

“Babai më propozoi të punoj si këpucëtare dhe unë me gjithë qejf e pranova këtë. Kur kam nisur me këtë punë isha vetëm 19-vjeçare dhe prej atëherë nuk i jam ndarë kësaj pune. Të njëjtën punë e kryejmë unë, babai dhe burri im, që të tre së bashku në një lokal “, tregoi Hana.

KKVITI

Këpucëtarja e vetme e Prishtinës, ka dy vjet që është martuar dhe shumë shpejt pritet të bëhet nënë. Ajo përkundër studimeve që ka kryer, për Marketing në Universitetin AAB , ka vazhduar të merret me zanatin e këpucëtarit, por nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të merret edhe me profesionin në të cilin ka diplomuar. Si çdokush që has në vështirësi në fillim të një pune, të njëjtin problem e kishte edhe Hana, madje shpeshherë përballej edhe me ofendimet e ndonjë myshteriu se “kinse” po e kryen punën që nuk i takon, asaj si femër.

“ Në fillim shpeshherë më ka ndodhur të dëgjoja fjalët, “Kush je ti që ma ndreq këpucën time, qysh ti me ma ndreq këpucën”, thirrma babanë tënd, le të ma ndreq ai këpucën etj ..”, tregoi Hana.

Fjalë të tilla, thotë ajo, mund të ketë hasur në ato vitet e fillimit por ajo thotë se tashmë shumica e myshterinjve që deri dje e kanë injoruar, kanë shumë respekt për të.

“Në fillim më kanë munduar shumë këto fjalë. Por tash jam mësuar të sillem me secilin që vjen qoftë fëmijë, i moshuar, grua etj. Unë ia dal të sillem me të gjithë mirë. Normalisht, se pak i çudit fakti se jam këpucëtore femër, por edhe përkundër fjalëve përsëri unë kamë vazhduar punën, madje çdo vit duke e përforcuar vullnetin e rezultatin e punës, dhe sot shumë myshterinj vinë e më kërkojnë për t’ua rregulluar apo dekoruar këpucët ”, u shpreh Hana.(zeri)