Fundamenti

Hamza: PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, s’ka koalicion me VV-në për zgjedhje

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend.

Ai në një konferencë për media tha se prioritet për PDK-në është interesi i qytetarëve dhe jo i individëve.

Ai ka thënë se ky qëndrim i PDK-së vjen si rezultat i kandidaturës së tij për kryeministër dhe jo për shkak të takimit të kreut të partisë së tij, Memli Krasniqi, me kryeministrin Albin Kurti.

“PDK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për mua si kandidat, prioritetet janë të qarta, interesi i vendit, i partisë dhe së fundi i neve si individë. Mbi të gjitha interesi i qytetarëve. Kosova është nën masa sanksione, janë qindra milionë euro të bllokuara…përtej aspektit financiar kemi të bëjmë me një dëmtim të reputacionit të vendit”, ka thënë Hamza.

UBT

Hamza ka kritikuar Qeverinë për “milionat e bllokuar”.

“Përveç milionave që janë bllokuar, ka edhe qindra miliona të tjera që janë të bllokuara dhe që nuk janë të shfrytëzuara si rezultat i paaftësisë për t’i shfrytëzuar. Sa herë të ketë nënshpenzim nënkupton se është mospunë. E kuptoj kur projektet presin për financim, por nuk i kuptoj ato kur presin paratë për t’i shpenzuar”, u shpreh ai.

Ai është pyetur nëse gjatë takimit Kurti-Krasniqi “ishte arritur marrëveshja që Hamza të jetë kandidat për kryeministër dhe që të ketë koalicion të mundshëm mes VV-së dhe PDK-së”. Mirëpo, Hamza ka mohuar një marrëveshje të tillë.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfarë koalicioni. Ne jemi në garë për të punuar fort që t’i bindim qytetarët me program, me ekip, me listë me të gjithçka që kërkon fushata”, ka thënë Hamza./EO/