Hamza në Konventën e PDK-së: Jemi partia që e ka ndërtuar këtë shtet, jemi trashëgimtarët e atyre që s’u përkulën kurrë

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në Konventën e Përgjithshme të njëmbëdhjetë me radhë të këtij subjekti politik, ka theksuar rëndësinë e trashëgimisë politike e historike që mban kjo parti, duke përmendur rolin e saj në shtetndërtimin dhe në luftën çlirimtare të vendit, raporton Ekonomia Online.
“Jemi mbledhur sot jo vetëm për të konfirmuar drejtimin tonë për vitet e ardhshme si subjekt politik por edhe për të rinovuar besimin në vlerat që vetë i kemi krijuar e që janë identiteti ynë. Ne jemi më shumë se sa një grup prej mijëra qytetarësh që ndajnë të njëjtin ideal. Jemi forca që ndajmë kontributin më të madh në lirinë, pavarësinë dhe shtet ndërtimin e Kosovës. Jemi partia që ka ndërtuar këtë shtet. Partia që ka udhëhequr në kohët më të vështira dhe prapë jemi të gatshëm të udhëheqim Kosovën. Jemi trashëgimtarë e atyre që s’u përkulën kurrë. Jemi partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, që së bashku me shumë prej jush këtu nuk u thyen dhe nuk u përkulën kurrë. Ata nuk u thyen dhe nuk u përkulën as sot kur po përballen me padrejtësinë historike, por krenari po e mbajnë mbi supe jo vetëm krenarinë e lavdishme të luftës së UÇK por edhe dinjitetin e popullit tonë”, tha Hamza.
Ai ka përkujtuar edhe themeluesit e PDK-së, duke i cilësuar njëkohësisht edhe themelues të UÇK-së, dhe ka theksuar se kjo parti duhet të jetë zëri i tyre, për sa kohë që ata nuk mund të flasin lirshëm.
Kandidati për kryeministër Hamza ka thënë se sot PDK-ja është busulla që e çon Kosovën drejt Evropës, drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe drejt bashkimit të shoqërisë sonë.
“Dua të ndalem edhe te themeluesit e PDK-së që janë edhe themeluesit e UÇK-së. Shkuarja e tyre në Hagë përveç që ishte goditje për shtetin e Kosovës, luftën çlirimtare dhe historinë tonë. Ishte goditje shumë e madhe edhe për ne si subjekt politik. PDK-ja sot është e thirrur të jetë zëri i tyre sepse nuk mund të flasin lirshëm. Jemi të thirrur që të mbrojmë trashëgiminë e luftës sonë çlirimtare, prandaj derisa të jenë sërish në mesin tonë në emër të Presidentit Thaçi, kryetarit Veseli dhe gjithë atyre që janë atje, le të ringrihemi edhe më të fortë, më të bashkuar dhe më krenar se kurrë. PDK nuk ka lindur në zyrat dhe nuk është formuar as në qetësinë e sallave parlamentare, ka lindur në përballje, në sakrificë, në shpirtin e rezistencës. Më shumë se kurrë kemi nevojë për unitet”, tha ai.