Hamza kritika dhe propozime partisë së tij, s’e bën të qartë nëse synon fronin e PDK-së

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, në emisionin “Pressing” të t7 ka folur edhe rreth partisë në të cilën bën pjesë ai – Partinë Demokratike të Kosovës. Ai nuk kurseu kritika e propozime për partinë më të madhe opozitare në vend.

Ai tha se PDK “mundet dhe duhet” të jetë më e konsoliduar, më e koordinuar dhe më aktive për tema të rëndësishme për vendin.

“Partia Demokratike mundet dhe duhet me qenë më e konsoliduar, më e qartë në qëndrime, shumë më aktive, më e koordinuar edhe me prezencë jo vec fizike, por edhe me tema të rëdnësishme për vendin dhe qytetarët e vendit. Unë besoj që kjo është e mundur, e vlerësoj punën nga secili, por unë besoj që mundëm me bo ma mirë, jom i bindur në këtë”, tha Hamza.

I pari i Mitrovicës foli edhe për lidershipin e PDK-së.

“Nuk është kjo që lidhet veç me lidershipin, e ka përgjegjësinë e vet lidershipi, por lidhet me të gjithë neve, secili brenda pozitës dhe kapaciteteve tona. Në zgjedhjet lokale Partia Demokratike ka dalë relativisht mirë, mirëpo kjo nuk guxon me na fut në komoditet dhe ne me thënë që kemi dalë mirë në zgjedhje lokale dhe për zgjedhjet nacionale me rujt njëfarë komoditeti dhe mos me punu shumë”, tha Hamza.

E gjatë bisedës, Hamza u pyet edhe rreth kreut të PDK-së, Memli Krasniqi.

“Unë Memli Krasniqin e kam votu, kom qenë një prej votuesve. Ka qenë një konsensus i përgjithshëm brenda PDK-së që për atë moment ai ka kandidu, gara ka qenë e hapur, nuk e ka ndalu kërkush kërkan, dhe në atë garë normal është zgjedhë Memli Krasniqi. Ka potencial edhe politik, intelektual, përvojë politike. Kur të vjen momenti në zgjedhjet e ardhshme, sigurisht që gara ka me qenë e hapur, procesi demokratik, le ta matë secili veten dhe kush është i gatshëm le ta sfidon”, deklaroi Hamza.

Hamza u pyet edhe se a do të garojë për të parin e PDK-së, mirëpo ai nuk e bëri të qartë se a synon ta zërë pozitën e Memli Krasniqit.

“Unë për momentin jam i koncentruar komplet energjinë time në komunën e Mitrovicës. Nuk e lejoj veten, unë kam shku aty, e kam gjet një gjendje, por nuk më amnisiton mu në vazhdimësi gjendja me thënë se ‘nuk e kam gjetë mirë’, e kom gjet një gjendje, duhet me sanu atë gjendje, duhet me iu përmbajt premtimeve të mia të programit që e kom pas në fushatë, duhet me i realizu premtimet. Jam i bindur që në masë të madhe kam me i realizu”, u përgjij Hamza. /GazetaExpress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS