Hamza: Bankat kanë ende hapësirë për të ulur normën e interesit

/ 2 minuta lexim

Bankat kanë ende hapësirë për të rritur efiçiencën dhe për të ulur normën e interesit për kredi. Në dy vjetët e fundit ka pasur rënie drastike të normave, për rreth 4 pika të përqindjes.

Deri në fund të vitit, mesatarja e normave të interesit pritet të jetë njëshifrore. Kështu ka thënë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”.

Hamza ka thënë se ka shumë punë për t’u bërë, në mënyrë që të eliminohen disa faktorë që ndikojnë në rritjen e percepcionit për riskun. Në ngritjen e percepcionit për riskun me rastin e lëshimit të kredive, sipas tij, ndikojnë: vonesat e gjykimit të rasteve në sistemin gjyqësor, problemi me kolateral-pronat, dhe problemi me shitjen e hipotekave nga ana e bankave. Ndërkohë që, sipas tij, në këtë nivel të kamatave kanë pjesë të fajit edhe bizneset, pasi një pjesë e tyre nuk tregojnë pasqyrat e vërteta financiare.

RCCOLA

“Nëse kreditë në një ndërmarrje nuk përdoren për investime që gjenerojnë të ardhura, të cilat i mundësojnë ndërmarrjes me kthy kredinë, me pagu këstin dhe me gjeneru të ardhura, por ato mjete shkojnë në rritjen e luksit brenda bizneseve, unë them se biznese të tilla kanë me pasë vështirësi në kthimin e kredive…Nëse kreditë përdoren për luks të tepruar brenda bizneseve, atëherë ai është shpenzim që e ngarkon afarizmin e ndërmarrjeve”, ka thënë guvernatori Hamza.

Në këtë intervistë ai flet edhe për gjendjen e sistemit financiar, hyrjen e bankave të reja në tregun e Kosovës dhe efektin që kanë pasur në sistemin financiar anëtarësimi në BERZH dhe në Bankën Evropiane të Investimeve. Flet edhe për fondet e ndryshme investive që janë premtuar pothuajse nga të gjitha partitë politike në fushatën e zgjedhjeve.