RCCOLA

Hallet e investitorit

/ 5 minuta lexim

Konkurrenca jo e barabartë nga Serbia, importi i miellit në të zezën dhe mullinjtë lokalë që punojnë të paregjistruar po na ngulfasin. Humbjet tona mujore nga bllokada e Maqedonisë shkojnë deri në 300 mijë euro. Kërkojmë ndërhyrjen e Qeverisë përndryshe do ta shqyrtojmë edhe ikjen nga Kosova. Gerald Wilflingseder, kryetar i Bordit në kompaninë e miellit M&Sillos, flet për Express.

“Në këto kushte nuk është e mundshme që ne t’i kthejmë investimet tona. Po t’i dinim gjithë këto probleme, nuk do të kishim investuar fare në Kosovë”. Kështu thotë në një intervistë për Express, Gerald Wilflingseder, kryetar i bordit në kompaninë e miellit M&Sillos. Kjo kompani deri më tash ka investuar miliona euro në Kosovë.

M&Sillos, është pjesë e Ameropa Group, me qarkullim vjetor në terë botën prej 7.5 miliardë dollarë. Përfaqësitë e tyre janë në tërë shtetet e Ballkanit. Së fundi, ndërtuan edhe një fabrikë të miellit në Xerxe të Rahovesit. Por ata po përballen me konkurrencë jolojale dhe goditje të herë pas hershme nga administrata shtetërore. Si investitor gjigant i huaj, ata s`kanë asnjëfarë lehtësimi.

Sipas Wilflingseder, konkurrenca jo e barabartë nga Serbia, importi i miellit ne të zezën dhe mullinjtë lokal që punojnë të pa regjistruar e kanë bërë gati të pamundur punën në Kosovë.

Problemet me të cilat po ballafaqohet ky investitor nuk janë vetëm brenda Kosovës. Së fundi edhe shteti maqedonas ka vendosur barriera për eksportuesit kosovarë të miellit. M&Sillosi nga kjo ka pasur humbje miliona euro.

“Prej korrikut të këtij viti kufiri me Maqedoninë ka qenë i mbyllur për eksport të miellit. Nga kjo humbjet tona mujore vetëm me Maqedoninë shkojnë nga 250-300 mijë euro në qarkullim. Këto tarifa që i ka vendosur shteti maqedonas janë kundër CEFTA’së”, thotë Wilflingseder.

Të njëjtat tarifa, sipas tij, ky shtet i ka vendosur edhe vitin e kaluar. Por asokohe me ndërhyrjen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila problemi u zgjidh. Ndërkaq sivjet përkundër premtimeve, Wilflingseder thotë se nuk ka diçka konkrete.

“Nëse flasim për Maqedoninë atëherë problemi është shumë lehtë të zgjidhet. Interesi i Maqedonisë në Kosovë është shumë më i madh sesa eksporti i Kosovës në Maqedoni. Nëse Maqedonia s’i përmbahet CEFTA-së, ateherë edhe Kosova duhet më i vendos të njëjtat tarifa për Maqedoninë”, vlerëson ai.

Ndërkaq, problemin me të madh në Kosovë, prej kur kanë ardhur për të investuar, Wilflingseder e vlerëson konkurrencën e pabarabartë nga Serbia. Sipas tij, Serbia është një treg që e ka ndihmën e shtetit, dhe kjo bënë që çmimi i tyre të jetë shumë më i lirë sesa në Kosovë.

Zyrtarisht 4 deri në 6 mijë tonë miell vijnë në muaj prej Serbisë. Ky çmim i miellit është gjithmonë më i lirë se çmimi i M&Sillosit.

Mobi Casa

“Shteti i tyre, nëse çmimi i grurit shkon lartë, iu jep rezerva me çmim më të lirë duke i mbështetur. Shembull 20 deri në 30 euro për ton të grurit. Kjo na afekton edhe neve. Qeveria e Serbisë ka dhënë dy herë ka 50 mijë tonë prej rezervave të shtetit tek mullinjtë serbë me çmim prej 180 euro për ton, kur çmimi zyrtar të cilin ne e kemi blerë prej tyre ka qenë 210 euro për ton”, thotë ai.

Thotë se mullinjtë privat në Kosovë kanë ofruar çmimin 210 euro për tonë në grurë. Ndërkaq në mënyrë që ta mbajë biznesin gjallë, M&Sillosi ka vendosur ta ulë çmimin për t’i përballuar konkurrencës.

“Pastaj kemi import ilegal të miellit nga Serbia. Përveç kësaj, kemi mullinjtë privat në Kosovë të cilët nuk i regjistrojnë shitjet dhe për ketë arsye janë më të lirë se ne”, shton Wilflingseder. Krejt këto, sipas Wilflingseder, i garantojnë kësaj kompanie humbje dhe vështirësi të mëdha në punën e tyre.

Problem tjetër për ta është grumbullimi i grurit prej fermerëve.

Drejtori i M&Sillosit thotë se blerjet e kompanisë janë me faktura të rregullta, përfshirë edhe TVSH’në. Mirëpo shton se fermerët nuk kanë mundësi të japin faktura të rregullta dhe me TVSH.

“Ne ua japim mundësinë atyre me lëshu faktura pa TVSH, mirëpo çmimi i blerjes zvogëlohet për pjesën e TVSH-së”, tregon ai.

Mirëpo, shton se ka raste kur fermerët e shesin grurin pa faktura të rregullta ndaj bizneseve tjera apo mullinjve privat të cilët nuk e deklarojnë as blerjen e as shitjen. Kjo bënë që shitja të kryhet në të zezën duke krijuar kështu konkurrencë jolegale.

“Për ketë i sugjerojmë shtetit që importi i miellit në të zezën dhe shitja nga mullinjtë privat nuk garanton siguri në ushqim. Shumica nuk kanë certifikata shëndetësore. Një përqindje e madhe e mullinjve nuk i plotësojnë standardet higjienike. Kosovës i duhen rezervat shtetërore”, thotë ai.

Veç kësaj, Wilflingseder tregon edhe përvojën jo të mirë me administratën. Prej institucioneve lokale thotë se ka presione të vazhdueshme për pagesa të lejeve, tatimeve, dhe kjo, sipas tij, po bëhet vetëm ndaj kompanive serioze por jo edhe ndaj atyre lokale.

Drejtuesit e kësaj kompanie, me gjithë këto probleme që po përballën, edhe pse i kanë investuar 21 milionë euro, po e shqyrtojnë edhe ikjen nga Kosova. Ky investitor, është edhe shembulli se si trajtohen investitorët e huaj nga shteti i Kosovës, e në të njëjtën kohë ftojnë investitor të huaj nëpër gjithë botën.