Fundamenti

Haliti: Vendimi për Manastirin i vonuar, edhe Asociacioni mund të jetë kusht

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, vendimin për pronat e Manastirit të Deçanit e quajti vendim të vonuar. Ai tha se i ka penguar diskursi i kryeministrit Kurti sa ishte në opozitë, kur deklaronte se kjo nuk do të ndodhë në asnjë mënyrë.

“Veprimet e tij politike kanë qenë shumë delitante në këtë periudhë dhe i solli raportet e Kosovës me SHBA-të dhe BE-në në pikën zero, derisa BE-ja u detyrua të vendosë masa kundër Kosovës… Delitante është se në një vend demokratik politika nuk I diskuton kurrë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Haliti në “RTK Prime”.

Ai tutje theksoi se detyrë e qeverive është që t’i luftojë fenomenet të cilat nxisin konflikt mes komuniteteve të ndryshme, dhe sipas tij vendimi për manastirin ndikon pozitivisht te bashkësia ndërkombëtare.

I pyetur se nëse vendimi për t’ia regjistruar pronën Manastirit të Deçanit mund të bëhet precedent edhe për objektet e tjera të kësaj natyre në Kosovë, Haliti tha marrëveshja e Brukselit garanton “eksterritorialitet” për 40 manastire e kisha në Kosovë.

“Është marrëveshje e nënshkruar, është bërë betejë poltike me ndryshu por kjo ka mbetë kështu”, theksoi deputeti i PDK-së.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Haliti tha se nuk mund të krahasohet me Republika Srpskan.

“Askund lidhje nuk ka Asociacioni me shumicë serbe me Republika Srpskan. Ajo është republikë, ky është Asociacion dhe është brenda qadrës së institucioneve të Kosovës. Serbët po lypin më shumë por statuti duhet t’u ndalojë mundësinë që ata me marrë vendime në organin këshillimor apo siç po e quajnë në atë kuvendin e tyre. Duhet me u pamundësu veprimet që janë në kundërshtim me Kushtetuten e Kosovës”, deklaroi ai.

Xhavit Haliti nuk e përjashtoi mundësinë që edhe Asociacioni të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Fundamenti

Në anën tjetër deputeti i PDK-së bëri të ditur se opozita kosovare po përgatitet për zgjedhje të cilat sipas tij do të mbahen së shpejti.

“Mundësia është me u bë në janar të rregullta, ose me u shpall të jashtëzakonshme dy muaj apo tre muaj para. Në qoftëse duam në janar është ftohtë por është edhe diaspora në Kosovë”, deklaroi Haliti.

Ndërkohë, një ditë më parë, Xhavit Haliti ka paralajmëruar se tifozët e klubit futbollistik “Crvena Zvezda” e Beogradit, janë duke u përgatitur për veprime terroriste në Kosovë.

Lidhur me këtë deklaratë ai tha se këtë tifozë kanë disa poligone në Serbi në të cilat po ushtrohen dhe qëllimi i tyre është ta destabilizojnë Kosovën e të kryejnë atentate e veprime që mund ta fusin edhe policinë e Kosovës në aventura.

“Nuk erdhen kot forcat e NATO-s në Kosovë që u shtuan, ata erdhen edhe me i thënë Qeverisë së Kosovës stop se ne jemi për sigurinë këtu, dhe me iu thënë atyre hajdeni po ua mbajti. Ata kanë më shumë informata, unë po them se informatat janë të sakta, planet janë të detajuara, qëllimi i tyre është me destabilzu” deklaroi Haliti.

Sipas Halitit, këto grupe janë të përgatitura nga forcat speciale serbe dhe janë të përgatitura për luftë psiqike, terror e përdorim të armëve.

“Nuk ka familje serbe në veri që nuk janë furnizuar me mollotov”, deklaroi ai.

Megjithatë, sipas Xhavit Halitit rreziku që Serbia të futet në Kosovë me forca, apo që Rusia të sulmojë Kosovën është i pamundur.