Haliti raportoi për punën 6 mujore të Institucioneve komunale të Vitisë

Viti – Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka raportuar sot për punën gjashtë mujore të Institucioneve komunale, në kuadër të debatit publik që parashihet të mbahet dy herë në vit. Për shkak të situatës epidemiologjike, u pamundësua edhe mbajtja e debatit me prezencë të qytetarëve, andaj si i tillë ai u zhvillua në mënyrë virtuale dhe përmes sistemit online. Në fjalën e tij, fillimisht kryetari Haliti foli për situatën momentale, posaçërisht përkushtimin e institucioneve komunale karshi pandemisë Covid 19.

Në vazhdim, po e shkoqisim në tërësi fjalimin e kryetarit Haliti, rreth situatës së fundit dhe angazhimeve komunale në parandalim të virusit corona:

Të nderuar qytetarë…
Po detyrohem që t’iu drejtohem në këtë mënyrë, me qenë se jemi në një situatë e cila ka përfshirë tërë globin dhe për shkak të ruajtjes së shëndetit publik dhe zbatimit të rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, debatin publik kemi vendos ta realizojmë virtualisht përmes sistemit online.

Siç e dini, ne që nga muaji mars kur jemi përballë me rastin e parë të paraqitjes me Covid 19, të një qytetari nga komuna e Vitisë, jemi mobilizuar dhe kemi marrë masa të nevojshme e të domosdoshme për ta menaxhuar situatën edhe në aspektin shëndetësor por edhe në atë social.

Përgjatë kësaj periudhe, duke ju falënderuar të gjithë mekanizmave relevant, të cilët edhe shfrytëzoj rastin t`i falënderoj për gjithë përkushtimin e tyre si: mjekët, infermierët dhe gjithë stafin shëndetësor të Qendrave të Mjekësisë familjare në Viti e Pozheran, pjesëtarët e Policisë dhe komandën e stacionit policor në Viti, Njësinë e Zjarrfikësve, partitë politike, Organizatën e Kryqit të Kuq, Shoqatën Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, organizatat dhe shoqatat tjera, bashkësitë fetare, Këshillat e fshatrave, mediat qendrore e posaçërisht mediat lokale që i kemi pasur në mbështetje të vazhdueshme për gjatë kësaj periudhe, ne kemi arritur të mbajmë situatën nën kontrollë.

Pastaj një falënderim për donatorët dhe diasporën që i janë përgjigjur ftesës sonë për të ndihmuar familjet në nevojë, si dhe gjithë ata që kanë kontribuar në forma të ndryshme që të kemi një situatë të menaxhueshme dhe nën kontroll në komunën e Vitisë.

Punë të palodhshme dhe me shumë përkushtim, ka kryer dhe po kryen edhe tani Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili edhe ditëve të vikendit, edhe pas orarit të punës por edhe në ditë festash, ka mbajtur për çdo ditë mbledhje, ka analizuar zhvillimet dhe është marrë seriozisht me situatën në kohë reale. Në zbatim të masave të ndërmarra nga IKSHP-ja, kemi pasur për gati dy muaj edhe reduktim të daljeve dhe qarkullimit, e poashtu edhe të reduktimit në masë të punës në ndërmarrjet publike e private, kështu që ky bllokim dhe ç`rregullim, ka prekur ndjeshëm edhe zhvillimin e ekonomisë në komunën e Vitisë.

Na është dashur që t`iu dalim në ndihmë familjeve në nevojë, por edhe familjeve tjera të cilave iu është rënduar ndërkohë gjendja financiare. Ne kemi arritë t`i shpërndajmë familjeve në nevojë, pako ushqimore dhe gjëra të nevojshme elementare për jetesë. Poashtu të intervenojmë përmes ekipeve mjekësore, në ato familje ku është paraqitë nevoja për asistencë.

Njëkohësisht, kemi bërë edhe dezinfektimin e Institucioneve Publike, Qendrave të Mjekësisë Familjare, objekteve të kultit, institucioneve të tjera që veprojnë në komunën e Vitisë, objekteve shkollore, kemi bërë klorifikimin e trotuareve, rrugëve e shesheve si në Viti, poashtu edhe në lokalitetet e kësaj komune, posaçërisht të zonave të prekura me të infektuar.

Pra, kjo është vetëm një pasqyrim në vija të trasha i aktiviteteve që kemi zhvilluar bashkë me Komitetin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe në bashkëpunim me mekanizmat tjerë që janë të përfshirë në këtë komitet. Ne jemi aktiv dhe të përkushtuar edhe sot në menaxhimin e kësaj situate, me që kemi rritje të ndjeshme të të infektuarve jo vetëm në Kosovë, por edhe në komunën tonë. Prandaj zbatimi i masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit corona, është mëse i domosdoshëm dhe shfrytëzoj rastin të ju apeloj që ti bindeni rekomandimeve që vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik, në mënyrë që ta ruajmë shëndetin tonë, ta ruajmë shëndetin e familjarëve dhe ta ruajmë në përgjithësi shëndetin publik të qytetarëve tanë”.

Haliti, më pas ka raportuar për punën gjashtë mujore të Institucioneve komunale, drejtorive dhe zyrave, me që rast edhe i është përgjigjur pyetjeve që kishin arritur nga qytetarët e lokaliteteve të ndryshme./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).