Haliti: Qeveria duhet të reflektojë pozitivisht dhe të kompensoj dëmet në Viti

Gjilan – Sokol Haliti kryetari i Vitisë thotë për rajonipress se Komuna e Vitisë ka pasur dëme të shumta nga vërshimet e fundit që ndodhën në prill të këtij viti. Këto dëme sipas tij janë të evidentuara në mënyrë të saktë dhe janë të dorëzuara në Qeveri dhe Ministrinë e Bujqësisë. Edhe pse na është premtuar se do të kompensohen dëmet, megjithatë Qeveria duhet të reflektojë pozitivisht dhe të kompensojë dëmet shprehet Haliti.
Kreu i Vitisë Sokol Haliti ende shpreson se Qeveria e Kosovës gjegjësisht Ministria e Bujqësisë do të paguaj dëmet e fundit që shkaktuan vërshimet në këtë qytet. Rreth 200 mijë euro llogaritet vlera e dëmeve që shkaktuan vërshimet në fshatrat e kësaj komune raporton rajonipress.
Sokol Haliti thotë për rajonipress se Vitia ishte e goditur nga vërshimet dhe është njëra nga komunat e vetme në Kosovë që raportin mbi dëmet e ka bërë në mënyrë shumë profesionale dhe të saktë. “Me kohë e kemi dorëzuar raportin e dëmeve, por ende nuk na kanë kthyer përgjigje. Komisioni i Vitisë ka bërë një evidentim më të saktë dhe kjo ka qenë arsyeja që ne edhe jemi vonuar, vetëm për ta bërë të saktë dhe real raportin” tha Haliti.
Haliti tha se Komuna e Vitisë edhe për shkak të borxheve të trashëguara, por edhe për shkak të fytit të ngushtë buxhetor nuk ka mundësi që të kompensojë të gjithë fermerët. “Ne kemi kompensuar vetëm ndonjë rast nga ekonomit familjare siç është rasti te Shusht, sepse nuk kemi buxhet për raste të tilla” tha Haliti.
Haliti tha se edhe rasti i mbytjes së 200 deleve në Debëllde është dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë dhe është një dëm që kap vlerën e 20 mijë eurove. “Mendoj se është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës të reflektojë pozitivitet dhe të reagojë për të kryer kompensimin e këtyre dëmeve. Ne nuk kemi nevojë më për fjalë apo premtime, por për hapa konkret” u shpreh Haliti.
Haliti tha se fermerët vijnë çdo ditë në komunë dhe ankohen dhe kërkojnë të kompensohen pavarësisht se adresa e tyre është Ministria e Bujqësisë.
Haliti megjithatë thotë se tani është koha që të mendohet për vitin e ardhshëm dhe për të intervenuar dhe investuar në ato pjesë ku vërshimet po bëjnë kërdi. “Ne po presim nga Bashkimi Evropian i cili ka premtuar një projekt që përfshinë pesë komuna për ta rregulluar shtratin e limit “Morava”. Projekti ekziston dhe presim që të fillohet për të hapur arteriet e lumit “Morava” nga i cili edhe po shkaktohen vërshimet. Ky projekt është i kushtueshëm, por definitivisht i zgjidhë problemet” tha Haliti.
Ndryshe vërshimet e fundit kanë goditur më së shumti tokat bujqësore të fshatrave Skifteraj, Budrikë e Radivojc.
Granit Avdyli, kryetar komisioni për vlerësimin e dëmeve, njëherit zyrtar për pylltari pranë Drejtorisë së Bujqësisë në Viti thotë se nga vërshimet si pasojë e kushteve atmosferike dëmet kanë qenë mjaft të rënda duke shënuar vlerën prej 197.867.10 euro, nga të cilat në kulturën e grurit janë dëmtuar 82.8 /ha, ku përqindja e dëmit ka qenë nga 30-100% dhe vlera e dëmit për këtë kulturë arrin në 59.740 euro./rajonipress/