Haliti priti në takim përfaqësues të programit të USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës”
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot në takim një delegacion nga aktiviteti i USAID-t “Integriteti i Komunave të Kosovës” (KMI), në krye me drejtoreshën e këtij aktiviteti Afërdita Mekuli. Gjatë këtij takimi ata kanë bashkëbiseduar për mundësinë e bashkëpunimit të komunës së Vitisë me këtë aktivitet, konkretisht për të marrë zotimin e kryetarit Haliti për bashkëpunimin me këtë aktivitet.
Bëhet me dije se ky aktivitet ka për qëllim që të adresojë sfidat e korrupsionit dhe ofrimin e shërbimeve duke përmirësuar menaxhimin e financave publike si dhe të forcoj mekanizmat e llogaridhënies, nëpërmjet përfshirjes së shoqërisë civile, sektorit privat dhe mediave, ku do të ofrohet edhe ndihmë nga ekspertët e USAID-it, për këto fusha.
Gjatë këtij takimi, me nënshkrimin e zotimit për bashkëpunim, Haliti tha se komuna të cilën ai e udhëheqë është e gatshme të bashkëpunojë me USAID-in dhe aktivitetet e tij duke e cilësuar aktivitetin KMI si shumë të rëndësishëm për komunën e Vitisë, në parandalimin e korrupsionit.
Ai po ashtu tha se komuna e Vitisë, ju është gjithmonë mirënjohëse qeverisë dhe popullit amerikan, për të gjitha që kanë bërë dhe po bëjnë për Vitinë dhe Kosovën./rajonipress/