Haliti: Pas zgjedhjeve, as PDK’ja s’do të ketë vija të kuqe

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka bërë të ditur se kjo parti nuk ka arsye ta refuzojë asnjë subjekt politik për bashkëpunimin pas zgjedhjeve të ardhshme.
Ai ka treguar se për interesa të vendit, PDK’ja është e gatshme të bashkëpunojë me secilën parti politike.
Haliti, në një intervistë për “Epokën e re”, e ka vlerësuar pozitive gatishmërinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nismës për të qenë të hapura edhe me PDK’në pas zgjedhjeve, duke thënë se këto subjekte politike njihen mirë dhe nuk kanë asgjë për të fshehur.
Sipas tij, tani për tani PDK’ja është në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, që po funksionon mirë.
Haliti ka thënë se në momentin që mund të ketë mospajtime funskionale në mes të koalicionit, atëherë duhet të zhvillohen takime edhe me partitë e tjera për t’i tejkaluar problemet.