Haliti: Ne kemi dhënë shumë për botën dhe morëm pak

Viti – Ne kemi dhënë shumë për botën dhe morëm pak. Ne sot shënojmë 17 Shkurtin si një nga ngjarjet më historike për Kosovën dhe qytetarët e saj ka thënë Sokol Haliti duke i vlerësuar lartë dy figurat emblematike atë të presidentit historik Ibrahim Rugova dhe komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari.
“17 Shkurti është kurorëzim i përpjekjeve shekullore për ta bërë Kosovën shtet, është datë e kurorëzimit të fitores për ne dhe përmirësim i gabimeve historike të të tjerëve kundrejt nesh. Ne kemi dhënë shumë për botën dhe morëm pak, ne sot shënojmë 17 Shkurtin si një nga ngjarjet më historike për Kosovën dhe qytetarët e saj”. Kështu është shprehur Sokol Haliti kryetar i Vitisë gjatë një seance solemne për nder të 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Haliti i ka vlerësuar lartë dy figurat emblematike atë të presidentit historik Ibrahim Rugova dhe komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, duke i cilësuar si dy simbole udhërrëfyese për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë.
Kurse kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë Naim Pira ka vlerësuar lartë përpjekjet e pareshtura dhe kontributin e madh në sensibilizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës nga presidenti historik Ibrahim Rugova, lufta e lavdishme e UÇK-së e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, si dhe gjaku i derdhur i të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar, duke mos harruar edhe ndihmën e pa kursyer të aleatëve tanë amerikan dhe evropian./rajonipress/