FIDANISHTJA

Haliti, me “vizë B” përfaqëson Zvicrën në Botërorin e Shahut

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Ai është shahisti me më se shumti gjasa në kombëtaren e Zvicrës që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të shahut për persona me dëgjim të dëmtuar.

Ka njëzetenjë vjet që jeton në Zvicër (St. Gallen) por ende ka vetëm lejen e qëndrimit (B). Megjithatë, kjo nuk e pengon Halit Rexhepin që të përfaqësojë Zvicrën në gara të shumta ndërkombëtare të shahut për persona me pengesa në dëgjim. Për më tepër, ai është shahisti numër një dhe me më se shumti gjasa në kombëtaren e Zvicrës që do të marrë pjesë më nga m esi i qershoritnë Kampionatin Botëror të shahut të kësaj kategorie..

“Kur jam duke luajtur shah, i harroj të gjitha problemet” thotë Halit Rexhepi. Por, duhanin nuk e harron. Në kampionatin e parë botëror ku ka marrë pjesë ai, që është mbajtur në vitin 2008 në St. Gallen e kishte penguar shumë ndalimi i duhanit. Të kalonte disa orë pa pirë duhan, ishte e vështirë për të. Ai nuk bundet nga argumenti se tymi i duhanit mund ta shpërqendrojë kundërshtarin. “Nëse është ashtu, atëherë do të duhej të përjashtoheshin edhe shahistët që u vjen era hudhër” bën shaka kampioni i trefishtë zviceran i shahut për personat me dëgjim të dëmtuar.

Në qershor Halit Rexhepi merr pjesë për të dytën herë në një kampionat botëror, kësaj here në Kroaci. Dhe atij i përshkruhen gjasat më të mëdha për sukses. Në Kampionatin Evropian të mbajtur në vitin 2009 në Hamburg Haliti kishte barazuar me kampionin botëror të kësaj kategorie, Georgiev.

Para 21 vitesh Halit Rexhepi me familjen ka ardhur në Zvicër. Në vendlindje kishte mbaruar gjimnazin dhe kishte punuar një kohë të gjatë si shitës në një vetëshërbim. Aparatin e parë të dëgjimit e kishte siguruar pasi ka ardhur në Zvicër. Ai thotë se dëgjimin e ka të dëmtuar në shkallën prej 70 për qind. Por, ai nuk e njeh gjuhën e shenjave (të shurdhmemecëve). Me “leximin nga buzët” dhe me ndihmën e aparatit të dëgjimit thotë se ia del mjaft mirë. Pastaj për të luajtur shah nuk ke nevojë të dëgjosh mirë, plotëson ai.

Si fëmijë e kishte ndjekur të atin duke luajtur shah. Ai kishte qenë një shahist i mirë. Si dhjetëvjeçar pastaj kishte filluar edhe vetë të luante dhe shumë shpejt kishte filluar të fitonte edhe kundër shahistëve me përvojë të klubit. “Shahu është më shumë se hobi, më shumë se sport”, thotë Rexhepi. Është ngjashëm me filozofinë – i vështirë për tu kuptuar dhe i pakufishëm”. Ai ka lexuar shumë analiza të shahut dhe biografi të mjeshtërve të mëdhenj të këtij sporti. Ndërsa si 21 vjeçar kishte marrë pjesë në një kampionat shtetëror ku kishte zënë vendin e pestë.

FIDANISHTJA

Në St. Gallen fillimisht kishte luajtur katër vite në Klubin e Shahut “Kosova”. Pas ke¨saj kishte kaluar ne Klubin e Shahut “St. Gallen”. Në të gjithë turnetë e shahut për persona me dëgjim të dëmtuar ku ka marrë pjesë, ka fituar vendin e parë . Veç tjerash ka marrë tri herë titullin e kampionit zviceran për persona me dëgjim të dëmtuar.

Në nivel ndërkombëtar Rexhepi në kampionatin e përmendur botëror të mbajtur në St. Gallen në vit 2008 kishte zënë vetëm vendin e 18. Por, atëbotë kishte pasur një infeksion në zorrë dhe kjo e kishte penguar të zinte ndonjë vend më të lartë. Prandaj, në Kampionatin Evropian në Hamburg, një vit më vonë, Haliti kishte da lë i treti.

Edhe pse nuk ka shtetësi zvicerane, Rexhep Haliti do ta përfaqësojë Zvicrën edhe në Kampionatin Botëror që do të mbahet në qershor në Kroaci, shkruan tagblatt.ch. Kjo i duket atij paksa e çuditshme edhe pse nuk është hera e parë që e bën këtë gjë.

Ai nuk di shumë për kundërshtarët që e presin. Por, qysh tash është e qartë se për Zvicrën në këtë kampionat luajnë pesë shahistë dhe se Halit Rexhepi është i pari i ekipit. Ai pra si më i miri i kombëtares zvicerane luan kundër më të mirit të kombëtares kundërshtare.

albinfo.ch