Haliti: Me pjesëmarrjen tuaj masive dhe përkrahjen e palëkundur, keni treguar vendosmërinë për të sjellë ndryshimin

Viti – 9 shkurti është një ditë vendimtare për të ardhmen e Kosovës. LDK ka prezantuar programin dhe vizionin për një të ardhme më të mirë – tani na duhet vota juaj për ta bërë ndryshimin realitet thuhet në mesazhin e Sokol Halitit.
Postimi i plotë:
Të nderuar veprimtarë, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,
Tashmë kemi përmbyllur këtë fushatë zgjedhore dhe dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për secilin prej jush. Me qëndrimin tuaj dinjitoz dhe sjelljen e civilizuar, i dhatë vlerë dhe kuptim të veçantë kësaj fushate.
Takim pas takimi, tubim pas tubimi, kemi ndarë ide dhe kemi forcuar besimin e ndërsjellë. Ju falënderoj nga zemra që me përkushtimin dhe vizionin tuaj i dhatë shkëlqim dhe madhështi kësaj përpjekjeje të përbashkët.
Pavarësia e Kosovës është arritur me shumë mund, djersë dhe sakrificë ndër breza. Është detyra jonë ta ruajmë dhe ta forcojmë shtetin tonë. Kjo mund të arrihet vetëm me një qeverisje ndryshe. LDK ka prezantuar programin dhe vizionin për një të ardhme më të mirë – tani na duhet vota juaj për ta bërë ndryshimin realitet!
Me pjesëmarrjen tuaj masive dhe përkrahjen e palëkundur, keni treguar vendosmërinë për të sjellë ndryshimin.
9 shkurti është një ditë vendimtare për të ardhmen e Kosovës!
Prandaj, nesër të gjithë në vendvotime! Shfrytëzoni të drejtën tuaj demokratike dhe me votën tuaj mundësoni ndryshimin.
BËHU NDRYSHIMI!
VOTO 124 – VOTO LDK!