Haliti inspektoi punimet në renovimin e QKMF-së në Viti dhe u zotua për investime të tjera në njësitë shëndetësore
Viti – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka vizituar sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti për të parë nga afër punimet që janë duke u zhvilluar për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore.
Gjatë vizitës, Haliti u shpreh i kënaqur me ecurinë e punimeve dhe theksoi rëndësinë e investimeve në sektorin shëndetësor për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Përkushtimi ynë mbetet i palëkundur për të ofruar kushte sa më të mira për pacientët dhe stafin shëndetësor. Ky investim është i një rëndësie të veçantë për të gjithë qytetarët e Vitisë,” tha Haliti.
Renovime të ngjashme janë duke u realizuar edhe në njësi të tjera të QKMF-së, përfshirë ato në Sadovinë, Tërpezë dhe Skifteraj.
Haliti gjithashtu bëri të ditur se së shpejti do të fillojnë punimet edhe në njësinë e kësaj qendre mjekësore në Letnicë.
Gjithashtu ka vizituar edhe punimet që po shkojnë drejt fundit për ashensorin në QKMF përmes donacionit nga Bashkimi Evropian.
Ky projekt i rëndësishëm po realizohet nga buxheti komunal i Komunës së Vitisë, duke treguar përkushtimin e autoriteteve lokale për zhvillimin e shëndetësisë në komunë.
Renovimet synojnë të përmirësojnë standardet e ofrimit të shërbimeve mjekësore dhe të krijojnë një ambient më të përshtatshëm për pacientët dhe personelin mjekësor./rajonipress/