Hidromorava

Haliti, gati për Kosovën

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Labinot Haliti është shprehur i gatshëm për ta përfaqësuar Kosovën, nëse kjo e fundit ka nevojë për të. Sulmuesi prishtinas shpreson që FIFA t’ia lejojë sa më shpejt përfaqësueses kosovare zhvillimin e ndeshjeve miqësore. 27 vjeçari insiston se njerëzit në Kosovë e meritojnë t’u jepet një mundësi për të luajtur, ngase e duan këtë sport.

Labinot Haliti e ka shprehur gatishmërinë e tij për të luajtur për përfaqësuesen e Kosovës. Futbollisti kosovar e kishte përfaqësuar ekipin U-23 të Australisë në vitin 2006, ndërsa momentalisht nuk luan në ndonjë kombëtare.

Edhe pse është i koncentruar në ekipin e tij aktual Western Sydney Wanderers, ish-anëtari i 2 Korrikut të Prishtinës nuk e fsheh dëshirën që ka për të luajtur për ekipin e Albert Bunjakut në të ardhmen.

“Të jem i sinqertë, nuk kam menduar shumë për këtë punë. Ajo çka jam i koncentruar për momentin është këtu në Wanderers, ta ndihmoj ekipin tim dhe të kem sezon pozitiv. Shpresoj që Kosova ta ketë mundësinë të luajë dhe nëse jam ende duke luajtur kur ajo do të lejohet të zhvillojë miqësore dhe nëse më thërrasin, atëherë pse jo”, theksoi futbollisti prishtinas për ueb faqen footballaustralia.com.au.

Sulmuesi kosovar shpreson që Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) t’ia lejojë Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore, në vendimin të cilin do ta marrë shtëpia e futbollit botëror këtë të premte. “Njerëzit atje e meritojnë të luajnë, ata janë ta pasionuar dhe e duan këtë sport, atëherë përse të mos lejohen?”, pyet Haliti.

Uji Dea

“Do të doja ta shoh Kosovën që t’i lejohet e drejta për të zhvilluar miqësore. Njerëzit që merren me këtë punë janë duke dhënë gjithçka për ta arritur këtë. Mendoj se ata e meritojnë një vendim të favorshëm. Nuk shoh ndonjë arsye se përse duhet t’u ndalohet një e drejtë e tillë”, përfundoi sulmuesi i ekipit nga A-League.

Haliti kishte shkuar me familje në Australi në vitin 1998. Por, përkundër mungesës së gjatë në Evropë, ai është i gatshëm ta ndihmojë vendin e tij, nëse FIFA e jep dritën e gjelbër për zhvillimin e ndeshjeve miqësore.

Kosova e ka shpallur Pavarësinë në vitin 2008, ndërsa po has në pengesa për faktin se nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara (OKB), edhe pse e ka mbështetjen e mbi 90 shteteve pjesëtare të Kombeve të Bashkuara. Në statusin e FIFA-s dhe UEFA-s shkruan se një vend mund të bëhet pjesë e këtyre dy institucioneve vetëm nëse është pjesë e OKB-së.

Lejimi i zhvillimit të ndeshjeve miqësore të përfaqësueses së Kosovës do të ishte një hap i vogël në procesin e gjatë që e pret vendin tonë. Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s do ta marrë vendimin në mbledhjen e vet të radhës, më 14 dhjetor në Tokio të Japonisë.(express)