Haliti formon komitetin komunal për mbrojtje dhe shpëtim

Viti – Pas të reshurave të shtuara të shiut, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka formuar sot Komitetin komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim. Këtij komiteti do të i prinë i pari i kësaj komune Sokol Haliti me disa nga Drejtorët e qeverisë komunale por pjesë e tij do të jetë edhe komandanti i stacionit policor në Viti, Agim Lipovica.
Përndryshe ky komitet ka për detyrë të vlerësoj gjendjen aktuale në territorin e Komunës së Vitisë, dhe të merr masa adekuate për mbrojtjen dhe shpëtimin e qytetarëve dhe pasurisë së tyre në territorin e kësaj komune.
Ndërkaq gjatë 2 viteve të fundit Institucionet Komunale të Vitisë, në krye me Halitin kanë punuar shumë në pastrimin e përroskave , kanaleve dhe shtretërve të lumenjve me qëllim të parandalimit të përmbytjes së tokave bujqësore dhe të ekonomive familjare.
Ndërkohë pas të reshurave të fundit të shiut, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë ka ndërhyrë sot në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Viti dhe atë më qëllim që të parandaloj dëme në ekonomitë familjare dhe të siguroj qarkullimin e lirë për gjatë kësaj rruge. /rajonipress/