Halit Azemi : Komuna po i shkel të drejtat e njeriut

Gjilan – Avokati Halit Azemi i cili edhe është banues në qendër të qytetit thotë se është i tmerruar me veprimin e fundit të organeve komunale për ta ndërprerë ndriçimin publik. Ky është më shumë se krim sepse ndriçimi është çështja më elementare që duhet të plotësohet nga një qeverisje.
Halit Azemi ndihet i trishtuar nga veprimi i qeverisjes komunale për ta ndërprerë ndriçimin publik në disa lagje dhe në qendër të qytetit. “Për disa ditë ishim në terror të plotë psikologjik, ishim të goditur nga një gjest shumë i ulët i komunës e cila në këtë rast hapur shkeli të drejtat e njeriut”.
Azemi thotë për rajonipress se ndriçimi publik është i garantuar edhe sipas konventave të Bashkimit Evropian. “Nëse vazhdon të mbretërojë ky kaos dhe kjo anarki në qytet atëherë unë do t`i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Mungesa e ndriçimit na ka kthyer në mesjetë dhe aspak nuk po ta qon mallin si qytet. Është rritur hajnia, vjedhjet, krimi e të gjitha dukuritë tjera negative”.
Azemi thotë se ky është një alarm që asnjëherë Komuna nuk duhet ta përsëris. “Të ndërpritet ndriçimi publik për 40 mijë euro është më shumë se qesharake. Qytetarët janë tejet të stresuar dhe të shqetësuar njëkohësisht. Ata janë taksapagues dhe kërkojnë kushte për jetesë, e jo terror psikologjik dhe luftë speciale mbi ta” shprehet i mllefosur Azemi.
Azemi thotë se edhe KEK-u po i shkel të drejtat e qytetarëve sepse rryma paguhet në Gjilan kurse ndërprerjet janë të shumta e të shpeshta./rajonipress/