Mobi Casa

Halimi: Pushtetet lokale, me heshtje po mundësojnë pastrimin etnik në Luginë

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Në rekapitulim të vitit 2014 që po e lëmë pas patjetër duhet të theksojmë se e kaluam edhe një vit të vështirë përplot me probleme ekzistenciale me të cilat po ballafaqohet Lugina e Preshevës.

Kryetari i PVD – së dhe deputeti popullorë, Riza HALIMI

Mjerisht edhe në këtë vit vazhdoi degradimi dhe stërkeqja e pushteteve lokale në Preshevë e Bujanoc, të cilët paralel me diskriminimin shtetërorë po e mundësojnë që në mënyrë të heshtur të vazhdojë pastrimi etnik në Luginë të Preshevës i filluar në kushte të luftës në Medvegjë, në Malësi të Bujanocit dhe në Karadakun e Preshevës.

Degradimi i pushteteve lokale gjatë këtij viti u zgjerua edhe në Këshillin Nacional të Shqiptarëve me shkatërrimin total edhe të vetë idesë për unitet të subjekteve politike shqiptare që deri më tani paraqitej së paku në nivel verbal. Në katër vitet e kaluara në Këshillin Nacional ishin përfaqësuar subjektet politike, PVD dhe UDSH që kishin marrë pjesë në konstituimin e përbërjes së parë të këtij organi të autonomisë kulturore të Shqiptarëve në Serbi. Mirëpo, pas zgjedhjeve të fundit subjektet politike që po i udhëheqin pushtetet lokale, edhe pse vetëm me një këshilltarë më tepër se Koalicioni për të drejtat e Shqiptarëve, i kanë uzurpuar të gjitha funksionet udhëheqëse dhe ekzekutive, madje kanë shkuar në skajshmëri absurde, duke e eliminuar Koalicionin fitues të PVD – së dhe UDSH – së edhe nga të gjitha komisionet e KNSH – së. Praktikë të këtillë të mbrapshtë nuk ka ndodhur deri më tani në asnjë Këshill Nacional të pakicave tjera nacionale, por as në cilindo Kuvend qëndrorë apo lokal në asnjë vend të botës demokratike.

Natyrisht është e domosdoshme të theksohet se edhe në këtë vit që po e përfundojmë pushteti qëndrorë në Serbi nuk tregoi gadishmëri politike për t’i përfshi përfaqësuesit legjitim të Shqiptarëve në shumicën parlamentare si dhe në strukturat ekzekutive. Mirëpo edhe në Trupin koordinues, organ i qeverisë serbe për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë vazhdoi prezenca vetëm dekorative e kryetarëve të pushteteve lokale të Preshevës dhe Bujanocit, pa pjesëmarrje substanciale të përfaqësuesve legjitim të Shqiptarëve.

Në këto rrethana të degradimit total të Luginës së Preshevës po hyjmë në vitin e ri 2015 me shpresa se do të gjejmë forcë, për kthesën vendimtare që mund ta bëjmë të gjithë së bashku.

Eco Higjiena

Jam i bindur se qeveria e sapoformuar e Kosovës do të ketë forcë të ballafaqohet me problemet e rënda ekonomike dhe do të arrijë e konsoliduar t’i vazhdojë bisedat e Brukselit për normalizimin e raporteve me Serbinë, dhe paralel me çështjen e Serbëve në Kosovë të trajtojë edhe pozitën e Shqiptarëve në Serbi.

Gjithashtu, pas vizitave të rëndësishme të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd dhe pas vizitës historike në Preshevë në një bashkëpunim të mirëfilltë me qeverinë e Serbisë janë gjasat reale të shtrohet edhe çështja e Shqiptarëve në Serbi dhe zgjidhja e problemeve të tyre të rënda jetësore.

Sigurisht në këtë drejtim të dy qeveritë do të kenë sukses shumë më të madh nëse sa më shpejtë arrijnë të hapin zyret koordinuese për Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilat do të mundësojnë qasje shumë më sistematike lidhur me këtë problematikë serioze.

Mirëpo, megjithatë kthesën vendimtare dhe shpëtimin nga gjendja katastrofale mund ta bëjnë në rradhë të parë forcat e mirëfillta politike të Luginës së Preshevës. Në këtë drejtim njësoj si para 25 viteve kur u themelua PVD për t’u ballafaquar me terrorin e regjimit të Millosheviqit, edhe në këtë gjendje, që është njësoj shumë e rëndë dhe komplekse, PVD është e gatshme t’i ofrojë bashkëpunim të mirëfilltë jo vetëm UDSH – së por të gjitha subjekteve që kanë vullnet dhe gadishmëri por t’u ballafaquar me sfidat aktuale ekzistenciale. Në këtë drejtim PVD në vitin e ri 2015 do t’i bëjë të gjitha përgaditjet gjithëpërfshirëse që do të mundësojnë kthesën, shpëtimin dhe daljen nga kriza e rëndë dhe degradimi total, në të cilën aktualisht gjendet Lugina e Preshevës.

Pjesë e rëndësishme e këtyre përgaditjeve do të jenë edhe zgjedhjet brenda PVD – së në të gjitha nivelet. Në këtë proces zgjedhorë, njësoj si para 25 viteve, dyert e PVD – së janë të hapura në kushte të barabarta për të gjithë veprimtarët që munden dhe dojnë të kontribojnë për Luginën e Preshevës.

Ne fund Ju uroj vitin e ri 2015 duke iu dëshiruar shëndet të mirë, suksese në realizimin e planeve dhe projekteve personale, por njëkohësisht uroj që me forca të përbashkëta të arrijmë të krijojmë kushte normale për jetë për familjet tona.