Halimi: Pensionistët të përçarë, të shpërndarë e të copëtuar

Gjilan – Halim Halimi pensionist është revoltuar dhe është zhgënjyer në të gjitha shoqatat, sindikatat e asociacionet e pensionistëve në Anamoravë e Kosovë. Halimi i cili ka një përvojë të gjatë në funksione të ndryshme thotë se të gjitha këto organizata merren më shumë me punët dhe përfitimet e tyre personale sesa që trajtojnë të drejtat e pensinistëve.
Halim Halimi pensionist nga Gjilani i cili ka ndihmuar në themelimin e shoqatave kryesore që do të duhej të mbronin të drejtat e pensionistëve thotë për rajonipress se është i zhgënjyer nga veprimtaria e tyre.
Sipas tij aktualisht në funksion janë Lidhja e Pensionistëve të Kosovës, Federata e Pensionistëve të Kosovës, Partia e Pensionistëve të Kosovës, Partia e Pensionistëve dhe Invalidëve, Shoqata e Pensionistëve të Trepçës, Shoqata e Grave Pensioniste, Shoqata e Invalidëve të Punës.
Halimi thotë se të gjitha këto organizata e shumë të tjera janë shoqata profitabile dhe realisht e kanë shndërruar veprimtarinë e tyre në agjenci turistike nga të cilat kanë përfitime materiale.”Në këto 30 organizata në nivel Kosove ka rreth 1800 vullnetarë të cilët që nga viti 1999 i shfrytëzojnë të mirat materiale të pensionistëve kontributpagues”.
Halimi kritikën më të madhe e ka ndaj Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës në Prishtinë e cila sipas tij as që ka marrë pjesë në protestat e organizuara për shqyrtimin e pozitës së tyre.”Udhëheqësit e kësaj organizate janë akomoduar mirë dhe marrin honorare shtesë dhe nuk brengosen për fatin e kolegëve të tyre” tha Halimi.
Edhe Federata e Pensionistëve sipas Halimit është mashtruese e vet pensionistëve duke u premtuar atyre se do ua zgjidhë të drejtat në Strasburg, gjë që është vetëm një ëndërr. Kurse Partia e Pensionistëve të Kosovës edhe pse u themelua që të bëjë presion tek institucionet e Kosovës për të zgjidhur statusin e pensionistëve ajo në fakt nuk bëri asgjë mendon Halimi.
Halimi ka kritika e akuza ndaj Organizatës Komunale të Pensionistëve në Gjilan e cila disponon me të hyra të majme, paguhen për punën vullnetare derisa kurrë nuk japin llogari.
Halimi thotë se në vend se këto organizata e shoqata të pensionistëve të merren me përgatitjen e dokumentacionit të kompletuar për të dërguar në Strasburg, ato përçahen
çdo ditë nëpër këto subjekte pensionale. “Prona e jonë personale që e ka vërtetuar edhe Gjykata e Strasburgut na takon me ligjet ndërkombëtare vetëm se duhet të dimë të adresojmë saktë kërkesat tona dhe të jemi më azhur dhe më senzibilizues si tek Qeveria e Kuvendi ashtu edhe tek faktori ndërkombëtar” thotë Halimi./rajonipress/