ARKATANA

Halimi kërkon unitet të spektrit politik shqiptar në Luginë

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, vlerëson se shpallja e zgjedhjeve për këshillat kombëtare të pakicave nacionale në Serbi përsëri riaktualizojnë përçarjet e spektrit politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të cilat po rriten eksponencialisht me ngritjen e shkallës së diskriminimit shtetëror ndaj popullatës shqiptare në këtë rajon.

Në një deklaratë për media, Halimi thotë se është anakronike që diskriminimi shtetërorë ndaj Shqiptarëve po vazhdon edhe sot, 13 vite pas fillimit të zbatimit të programit të qeverisë serbe për zgjidhjen e krizës në Luginë të Preshevës, të përkrahur nga faktori ndërkombëtar.

“Qëllimet më të rëndësishme të këtij programi nuk u realizuan. Në vend të revitalizimit ekonomik, sot gjendja ekonomike është shumë më e rëndë dhe shkalla e papunësisë është shumë më e lartë se para 13 vitesh, kur ishte arritur marrëveshja për zgjidhje paqësore të krizës në këtë rajon. Pos realizimit të pjesëmarrjes adekuate të Shqiptarëve në pushtetin lokal të Bujanocit dhe rritjes së pjesëmarrjes së Shqiptarëve në policinë lokale por ende jo në nivel proporcional, pjesëmarrja e Shqiptarëve në strukturat publike dhe shtetërore është vetëm simbolike”, tha Halimi, duke potencuar se amnistia për ish ushtarët e UÇPMB – së në pjesën më të madhe nuk u respektua, sepse në shumë raste me përdorim të dhunës masive shtetërore pa asnjë bazë ligjore u burgosën, transmeton Telegrafi.

“Gjithashtu nuk u plotësua as obligimi i qeverisë serbe për krijimin e kushteve për kthimin e të ‘shpërngulurve interno, si ishin kualifikuar zyrtarisht Shqiptarët e dëbuar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja gjatë gjendjes së luftës dhe gjendjes së jashtëzakonshme në periudhën mars 1999 – maj 2001”.

Halimi thotë se mosgatishmëria e qeverisë serbe për të ofruar zgjidhje për problemet e regjistrimit të Shqiptarëve të dëbuar gjatë luftës si dhe azilkërkuesve, por edhe të Shqiptarëve juridikisht të padukshëm ishin arsyet kryesore të bojkotit të regjistrimit të popullatës në vitin 2001.

“Në kushte të bojkotit të këtij regjistrimi, kur nuk kishin punuar as komisionet komunale të regjistrimit është e qartë se shënimet e paraqitura me fusnotë për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në raportin zyrtarë të Entit statistikorë të Serbisë janë të falsifikuara sikur që është i falsifikuar edhe shënimi në bazë të cilit në Serbi jetojnë vetëm 5.809 Shqiptarë!”, thotë Halimi, sipas të cilit zvogëlimin e falsifikuar prej 11 herë të numrit të Shqiptarëve në Serbi, ndërsa në Preshevë prej 75 herë e në Bujanoc madje prej 97 herë, që po e imponon qeveria aktuale serbe nuk është zbatuar as gjatë qeverive të Milosevicit.

Mobi Casa

Ai thotë se vendimi i ministres së pushtetit lokal, me rastin e shpalljes së zgjedhjeve për këshillat nacionale, që të zvogëloj në 15 anëtarë Këshillin Nacional të Shqiptarëve nga 29 anëtarë sa i ka ky këshill nga zgjedhjet e vitit 2010, është vazhdimësi e politikës dhe praktikës diskriminuese të qeverisë serbe.

“Është shumë e qartë se strukturat shtetërore në Serbi janë të trimëruara me heshtjen e faktorit ndërkombëtarë ndaj pastrimit etnik të kryer në Luginë të Preshevës gjatë luftës në Kosovë, dhe menjëherë pas Marrëveshjes së Kumanovës por edhe gjatë luftimeve brenda Zonës së Sigurisë Tokësore në periudhën janar 2000 – maj 2001”, thotë Halimi.

Sipas tij, politikat perfide të strukturave shtetërore serbe, që po arrijnë me sukses ta përçajnë spektrin politik shqiptarë dhe njëkohësisht për ta bindur faktorin ndërkombëtarë se gjer më tani nuk kanë pasur partner serioz për zgjidhjen e problemeve të rënda jetësore në Luginë të Preshevës, po vijnë në shprehje pikërisht tash kur po u imponohen Shqiptarëve zgjedhje për këshill nacional në kushte skajshmërisht diskriminuese.

“Pikërisht kur Serbia me këmbëngulje po injoron kërkesat e Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe deputetëve Shqiptarë për ta ndërprerë manipulimin diskriminues me numrin e Shqiptarëve që jetojnë në Serbi, si dhe kërkesat për anulimin e vendimit të ministres së pushtetit lokal që ka paraparë përgjysmimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Nacional të Shqiptarëve, çuditërisht subjektet politike shqiptare që kishin bojkotuar gjer më tani Këshillin Nacional të Shqiptarëve pikërisht tash pa e pritur epilogun e këtyre kërkesave legjitime, po garojnë se cila më parë do të paraqitet në këto zgjedhje me kushte diskriminuese”, thotë ai.

Në këtë mënyrë, sipas Halimit, qeveria serbe po arrin ta legalizojë plotësisht reduktimin e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në korniza skajshmërisht diskriminuese edhe atë në kohën kur e presin obligime shumë serioze në fushën e të drejtave individuale e kolektive të pakicave nacionale në kuadër të përgaditjeve të fundit për t’u bërë pjesë e BE-së.

“Është momenti që me unitet praktik të gjitha subjektet politike t’i bashkangjiten kërkesave të Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe deputetëve drejtuar qeverisë serbe dhe ambasadorëve në Beograd, por edhe institucioneve evropiane në Bruksel dhe Strazburg, për ta eliminuar manipulimin dhe diskriminimin shtetërorë me zvogëlimin drastik të numrit të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe në Serbi”, ka thënë Halimi. /Telegrafi/