UBT

Halim Halimi – hendbollisti që vuri themelet e hendbollit në Anamoravë

/ 5 minuta lexim

Gjilan – T`i kujtosh legjendat është krenari, por të shkruash për legjendat është mjaft vështirë, pasiqë gjithmonë legjendat në karrierën e tyre kanë synime e suksese të cilat vështirë se përsëriten.

Kosova e populli i saj me shekuj e dekada, ka pasur gjithmonë njerëzit e saj të cilët me veprat e tyre kanë luftuar e punuar për të mirën e këtij populli.

Halim Halimi i cili sot është në moshë të shtyer 85 vjeçar, një jetë të tërë i’a kushtoi lojës së hendbollit, edukimit të brezave të rinjë por për një kohë të gjatë dha një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën shoqërore politike në Komunën e Gjilanit.

Halim Halimi është pionieri i parë shqiptarë në lojën e hendbollit në Anamoravë e më gjerë, së bashku me disa hendbollist tjerë anembanë Kosovës duke vendosur themelet e lojës së hendbollit plot para 69 viteve.

Mobi Casa

I dashuruar pas librit dhe prosperitetit për popullin e tij, Halim Halimi, ishte nga nxënësit e parë të shkollës së Normales në Prishtinë, ku si 17 vjeçar fillon karrierën e tij të hendbollistit në klubin e Prishtinës – Normalisti. “Kisha vetëm 17 vjeç, isha me shtat i fuqishëm e korpulent, u regjistrova në Prishtinë në shkollën e Normalës, takova shokë e idealistë të popullit shqiptarë. Pastaj, u regjistrova në klubin e hendbollit Normalisti të Prishtinës, ishim si një familje e madhe, por kishim synime që sa më parë ta arsimonim popullin dhe ta inkuadronim në jetën sportive, ishin kohëra të vështira nuk kishte më shumë se 9 vite nga Lufta e Dytë botërore, ishte varfëri e madhe, por idealin tonë askush nuk mund ta mposhte”, thekson tani 85 vjeqari Halimi.

Halim Halimi me shumë nostalgji e krenari kujton shokët e parë të Normalës, ku sipas tij të gjithë janë legjenda si në jetën e përditshme poashtu edhe në jetën e lojës së hendbollit. “Jam shumë i nderuar që isha pjesë e shkollës së Normalës dhe klubit të hendbollit Normalisti, ne ishim ABC e arsimit dhe hendbollit, ne ishim pionerët të cilët filluam t’ju bëjmë me dije popullit shqiptarë se shumë shpejt kombit po i lindin njerëzit e duhur, siç ishin: Rexhep Qosja, Musa Abazi, Beqir Buqinca, Jonuz Syla Fitim Domi, Ismet Gusia, Hani Nagavci e të tjerë, këta ishin njerëzit që po bënin revolucion në jetën shoqërore e sportive në hendboll, këta njerëz janë të papërsëritshëm dhe jam shumë krenar që një pjesë të jetës time e kam kaluar me këtë plejadë të këtyre intelektualëve e sportistëve që vunë themelet e hendbollit të Kosovës”.

Halimi i lodhur për nga mosha tregon peripecitë të cilat ballafaqoheshin gjatë karrierës së tyre hendbollistike. “Ne kemi pasur ideal dhe dashuri ndaj vendit, sportit e popullit. Ne nuk e kemi pasur problem ushqimin e veshjen e cila na ka munguar në shumë raste, ne ndeshjet i zhvillonim zbathur – pa patika, ndokush ka mundur të ketë opinga, luanim në terena të hapura me ciment e në fusha me guraleca, por ishim krenar se po përfaqësonim popullin shqiptar, po përfaqësonim Kosovën ky ishte synimi ynë”. Ish-hendbollisti Halimi me të kryer shkollën e Normalës rikthehet në Gjilan në vitin 1958 pikërisht në vendlindjen e tijë në Pogragjë. “Po në këtë vit u riktheva në vendlindje, isha i mërzitur pasi lash shokët ma të mirë në Prishtinë por isha edhe i lumtur që u riktheva tek prindërit e familja ime në Pogragjë, ku u punësova në shkollën fillore të fshatit, isha mësimdhënës i Edukatës Fizike e më vonë isha edhe drejtor i kësaj vatre të diturisë. Një vit më vonë themelohet KH Partizan i Gjilanit, i cili merr pjesë në garat e para të organizuara në hendboll në Kosovë, unë isha i vetmi shqiptarë në këtë klub të hendbollit por me kalimin e kohës hendbollit ju bashkëngjitën edhe disa shqiptarë të tjerë”, tregon Halimi.

85 vjeqari Halim Halimi apo pioneri i hendbolli gjilanas e kosovarë, me kalimin e kohës përfundon Fakultetin Juridik në afat rekord, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në jetën sportive e shoqërore. Halimi për një kohë të madhe në Komunën e Gjilanit ka kryer shumë funksione udhëheqëse duke lënë gjurmë të pa shlyera, ai e deshti shumë emancipimin e popullit shqiptarë për afër një dekadë të tërë, ishte drejtor në mediumin e vetëm Informativ Radio Gjilani, që në atë kohë bënte bujë të madhë në informimin e qytetarëve. Qyteti i Gjilanit dhe shteti i Kosovës duhet të jenë krenar me kontributin e dhënë të Halim Halimit në jetën sportive e shoqërore. Sot, Halim Halimi 85 vjeçar, ka një mesazh për të gjithë sportistët e qytetarët e Gjilanit e Kosovës. “Ndihuni krenar me të kaluarën e këtij vendi, ato ishin kohëra të vështira, por dashuria ndaj këtij vendi asnjëherë nuk u shua , përkundrazi na bëri edhe më të fort. Duani familjen shoqërinë, qytetari edhe skamnorin, pasi kështu na ka mësuar jeta, mos u ndalni në asnjë moment së punuari për këtë vend të cilën e lamë shumë herë me gjak, se një fjalë e urtë thotë:“Nganjëherë më i ëmbël është lloqi i vendlindjes, se mjalti i mbretit”. Vepra e sakrifica e ish-pionerit të hendbollit shqiptarë nuk do të harrohet, ndërsa ne Gjilanasit jemi krenar dhe falënderues që Halim Halimi një jetë i’a kushtoi sportit dhe popullit të tij./rajonipress/