Hidromorava

Halil Matoshi: Opozita së pari të japë alternativa e pastaj në protesta

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Opozita, në rend të parë duhet që në Kuvend të japë alternativa për politikat qeverisëse dhe jo vetëm të shfaq mospajtim për dhe rreth gjithçkaje. Protesta duhet të ndodhin dhe ato ndihmojnë pushtetin që të korrigjohet. Nëse me protesta të fuqishme paqësore mund të trandet Qeveria për ndryshimin e mendësisë qeverisëse, ky do të ishte një sukses i madh. Mos të harrojmë se udhëheqja e VV’së në Prishtinë, AAK’së në Deçan e Junik dhe e NISMA’s në Malishevë s’dallon asgjë nga udhëheqja e PDK’së e LDK’së. Është udhëheqje e varfër dhe e pashpresë. Sidoqoftë, Qeveria aktuale po bën punë të mira sidomos te reforma fiskale. Analisti Halil Matoshi flet për Express.

Express: Cili është vlerësimi juaj për protestën e 18 prillit? Ishte ky momenti më i mirë për të protestuar?

Halil Matoshi: E drejta e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë kushtetuese madje ajo ndihmon edhe pushtetin që të korrigjohet, ndërkaq që, duke u dhënë zë atyre që nuk kanë, protesta aktivizon secilin qytetar që të mendojë për pozitën e tij në shoqëri, të mendojë se ku shkojnë taksat e tij dhe se a po abuzohet me pushtetin.

Pra jo vetëm që është e drejtë, por është imediate të protestohet, për ta detyruar pushtetin që të ndërmarrë hapa emergjent për përmirësimin e sigurisë në vend, për të dhënë sinjale të qarta se askush nuk është mbi ligjin si dhe për ta ndalë kontrollin që po e ushtron pushteti në politikat editoriale në RTK.

Në këtë rast, thirrja e protestave nga opozita parlamentare për çmimin e manipuluar të energjisë elektrike, për mossundimin e ligjit, për pabarazinë qytetare – pra kundër kapjes së shtetit nga PDK dhe segmentet e saj – është domosdo për vetëdijesimin e qytetarëve kosovarë për të ushtruar kontroll mbi pushtetin politik, mirëpo, protesta kundër Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, meqë është postulat që buron nga Pakoja Ahtisari dhe rrjedhimisht postulat kushtetues, mendoj se nuk është një pozicionim i drejtë qytetar karshi shtetndërtimit.

Po ashtu, duket se ka indikacione se protesta do të përdoret edhe për ta kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, gjë që do ta vente në sprovë projektin e Kosovës së pavarur dhe sovranitetin e vendit.

Express: VV, AAK dhe NISMA kanë publikuar kauzën për protestën e radhës. Është “Kundër kapjes së Shtetit”. A do të ketë sukses kjo protestë me këtë kauzë?

Halil Matoshi: Opozita, në rend të parë duhet që në Kuvend të japë alternativa për politikat qeverisëse dhe jo vetëm të shfaq mospajtim për dhe rreth gjithçkaje, sepse ka edhe ndonjë pikë të ndritshme, si p.sh. reforma fiskale që kjo Qeveri po e paralajmëron.

Kërkesat e opozitës, thash, pos Asociacionit janë të drejta dhe reale, sepse tashmë një kohë të gjatë strukturat e PDK-së kanë zaptuar jo vetëm postet publike por edhe hapësirat publike dhe institucionale, resurset dhe pasuritë kombëtare, duke mos lejuar ndarjen racionale të tyre ndërmjet shtetasve, duke e shtrirë ndikimin e vet në të gjitha aspektet e jetës shoqërore në vend, e duke shkaktuar padrejtësi shoqërore dhe iritim të publikut kosovar përmes korrupsionit masiv, nepotizmit dhe bashkëpunimit me krimin e organizuar.

Thjeshtë, dy Qeveritë Thaçi dhe vazhdimësia e saj “Kabineti Mustafa’ shquhen për veshjen me pushtet të njerëzve abuziv dhe kryesisht të padijshëm, (respekt atyre që kanë dëshmuar dhe dëshmojnë lidership të denjë) pra të gjitha Qeveritë e pasluftës mund të cilësoheshin edhe si Qeveri jokompetente!

Opozita aktuale e ka mbështetjen e një mase të madhe popullore, që ta influencojë pushtetin për t’u shkëputur shpejt dhe përfundimisht nga mendësia kleptokratike e qeverisjes, madje në disa aspekte po vërehen politika të tilla, që po lëvizin në drejtim të mire – për t’u shkëputur nga kontinuiteti abuziv – si në dikasteret e financave, tregtisë dhe industrisë, zhvillimit ekonomik, kulturës, ku së paku, duket ashiqare se ekziston vullneti për ta ndërprerë korrupsionin dhe për t’i dhënë shans qeverisjes së përgjegjshme, zhvillimit të demokracisë, pastaj për të dhënë sinjale të qarta se do të luftohet konkretisht krimi i organizuar dhe do të përkushtohen në ngritjen e mirëqenies qytetare.

Se, a do të jetë protesta do të jetë e suksesshme ose jo, kjo varet se sa do të jenë të përgjegjshëm ideatorët dhe organizatorët përball institucioneve të shtetit dhe qytetarëve në anën tjetër.

Unë jam liberal, ithtar i lirisë, gjithnjë, mirëpo rrethanat globale në të cilat është krijuar dhe po jeton shteti i ri kosovar, sidomos pas 11 shtatorit (lufta globale kundër terrorit) dhe tash pas invazionit rus në Gjeorgji (Abkhazia), dhe Ukrainë (Krime e Dontesk) po e shpërqendrojnë politikën globale nga rajoni jonë, prandaj në rrethana të tilla Siguria po e merr mbi lirinë.

Këtë duhet ta mendojnë në mënyrë racionale liderët opozitarë…

Express: Sa janë gjasat që të ketë dhunë edhe në protestën e 18 prillit?

Halil Matoshi: Unë mendoj se ruajtja e rendit është në interesin e të gjithëve në Kosovë, pra edhe në favor të opozitës prandaj mendoj se nuk do të ketë dhunë. Por do t’i bëhet me dije Qeverisë se nuk janë numrat gjithçka në demokraci dhe se të jetuarit në shoqëri të lirë nuk është fare i lehtë, ngase individi, qytetari duhet të mësohet në diversitet, të jetojë me atë që e percepton të ndryshëm nga vetja, duke mos ia cenuar liritë dhe të drejtat, ndërsa një Qeveri e përgjegjshme duhet të mësohet të qeverisë me opozitën – veçanërisht për sa u përket interesave vitale kombëtare dhe kohezionit shoqëror e shtetëror. Nëse me protesta të fuqishme paqësore mund të trandet Qeveria për ndryshimin e mendësisë qeverisëse, ky do të ishte një sukses i madh, mirëpo për këtë sukses, së pari opozita, siç e theksova më parë, do të duhej që të jepte alternativa të elaboruar mirë në Kuvend.

Fundamenti

Më duket se nuk është alternativë t’i thuhet ‘Jo’ Asociacionit, sepse është postulat i Pakos Ahtisaari dhe vetëdijshëm është miratiuar atëbotë nga klasa politike kosovare (pos VV_së që ka qenë kundër) pra ato lëshime ishin si shkëmbim për pavarësi kombëtare të Kosovës. Po ashtu, due me besue se Haradinaj, Limaj e Kurti janë shumë të vetëdijshëm se Gjykata Speciale nuk duhet të bëhet “çështje” në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara…

Dhuna eventuale rrezikon sigurinë e brishtë dhe e sposton të drejtën nga protestuesit tek ata kundër të cilëve protestohet.

Express: A po njëjtësohen Albin Kurti me Haradinajn e Limajn apo e kundërta Limaj e Haradinaj me Kurtin?

Halil Matoshi: Jo pas prishjes me bllokun V-LAN duket se Haradinaj e Limaj ne mendësi dhe praktika politike po anojnë nga VV-ja, sikur po i lakmojnë veprimet e VV-së, sepse me gjasë po u duket opozitarizëm më efektiv, më i fortë. VV-ja duket sikur ua ka ndezur motorët turbonacionalistë liderëve tjerë opozitarë në Republikën e Kosovës edhe për sa i përket refuzimit për me i dhanë besnikëri Republikës, sipas një ndjesie që të thotë se Republika e Kosovës është vetëm një proejkt kalimtar prandaj, sipas kësaj mendësie (që u shfaq me rastin e festës kombëtare të 17 shkurtit) nuk duhet t’i qëndrosh lojal!?

Thjeshtë, nuk meriton t’i japësh dashuri…

Madje Haradinaj gjatë përkujtimeve në Prekaz pati deklaruar se ‘kjo tokë është Shqipni”, për t’u përafruar edhe në aspektin e nacionalizmit etnik shqiptar. Dhe nëse e dekonstruktojmë këtë fjali, pra nëse kjo tokë është Shqipni, atëherë shteti kosovar për çkapjen e të cilit po protestohet nuk u dashka fare të ekzistojë. Në këtë aspekt shumë liderë kosovarë po kanë problem semantike me zbërthimin e nocionin ‘atdhe’, ngase në të gjitha teoritë politike dhe identitare ai (atdheu) është shteti i pavaur kombëtar, në rastin tonë shteti kosovar

Express: Dihet se Vetëvendosje e ka pushtetin në Prishtinë, Haradinaj në Deçan e Junik, ndërsa, Limaj në Malishevë. Çka në fakt e dallon qeverisjen e këtyre tri partive prej PDK’së e LDK’së?

Halil Matoshi: Absolutisht asgjë thelbësore. Jeta e prishtinalive, që udhëhiqen nga VV-ja, ose e deçanlive e junikasve që qeverisën nga AAK-ja dhe e malishevasve ku sundon Nisma është përafërsisht e njëjtë, e varfër, e pa shpresë…

Thjesht në Prishtinë, ndoshta vërehet një ndërprerje e zinxhirit të korrupsionit galopant dhe nepotizmit, porse militantët partiakë megjithatë janë kudo në Komunë!?.

As VV-ja nuk ishte imune karshi nepotizmit dhe klientelzimit.

Pra secila qeverisje ku dikush mund të pasurohet nga zyra publike në një atdhe të varfër është kriminale…

Express: Shpend Ahmeti e Fisnik Ismaili janë takuar para disa ditësh me Hashim Thaçin në një organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të nderuar Ambasadorin Cliff. Si e vlerësoni këtë takim të zyrtarëve të VV’së me ata të PDK’së kur dihet rregullat e Vetëvendosjes?

Halil Matoshi: Ajo që është bërë “përrallë iriçi” në Kosovë është fakti se para publikut, liderët e rangjeve të ndryshme politike shfaqen si kundërshtarë të mëdhenj dhe parimor ndërmjet veti, mirëpo s’është fare kështu, të gjithë janë përafërsisht të afërt për nga mendësia politike, i bëjnë lëshime e favore njëri-tjetrit, ia sistemojnë ta afërmit në poste ose ia punësojnë etj.

Pra e kanë edhe një të përbashkët: Të gjithë shtiren patriotë të mëdhenj dhe sikur duen me qitë flakë nga goja si kulshedra, kur flasin për atdhetarizëm, për bashkim më Shqipëri, ose për ndjenjat ku e zi dhe të gjithë harrojnë se Republikës së Kosovës duhet t’i japin besnikëri dhe t’i jenë lojal, sepse ata i zgjedh trupi elektoral kosovar dhe mbahen me paratë e taksapagfuesve kosovarë!?

Kosovarëve sot aspak nuk u shërben turbofolku dhe etnonacionalizmi që u rishfaq në mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Tiranës, me atë dizajnin si flamuri i Partisë Shqiptare Demokristiane dhe me llafologji boshe, pastaj me atë këngën e re porn-folk të Lorit dhe Elvanës, debatet e frikshme gjatë e pas ndeshjes së futbollit të kombëtares shqiptare me Armeninë dhe lutjen e futbollistëve dhe stafit në xhami e kisha, gjë që la pas një përrua plot urrejtje ndërmjet shqiptarësh e kosovarësh, fesh e besimesh të ndryshme…Pra të gjithë, së paku ata që sot janë në majat e pushtetit në Kosovë, kanë problem semnatike dhe konceptuale me atdheun. E atdheu i kosovarëve është shteti Sovran i tyre, Republika e Kosovës. Porse në këë rrëmujë mujshore ku tjetrit (që nuk është si ne) synohet t’i nxirren sytë me kthetra, vetëm Republika e Kosovës duket se ende nuk është atdhe i askujt!?

E habitshme kjo…