“Hajt se Hasha bën diçka”

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Berat Buzhala – Psikoza që Thaçi e ka një fuqi mbinatyrore për t’i kontrolluar të gjithë proceset është e frikshme. Kjo është irracionale.

Në fundin e Luftës së Dytë Botërore, derisa forcat aleate po marshonin në të katër anët drejt portave të Berlinit, gjermanët e hutuar edhe më tutje nuk mund të besonin që u kishte ardhur fundi. Ata, që aq shumë zullum dhe aq shumë krime kishin kryer brenda pesë vjetëve, besonin dhe shpresonin që lideri i tyre, Adolf Hitler, nuk do të dorëzohej aq lehtë.

Ishte përhapur nëpër Berlin një propagandë që Fyhreri e ka një armë të fuqishme, me të cilën, në momentin që do ta përdorë, do t’i zbarpsë të gjithë armiqtë dhe do ta fitojë luftën. Askush nuk dëshironte ta besonte që nazizmit i kishte ardhur fundi. Nuk dëshironin të besonin që ata të cilët në një moment Moskën e kishin pasur pothuajse në dorën e tyre, që e kishin nënshtruar gjithë Evropën, që ishin tallur me të gjithë botën, tash ishin përpara fundit ushtarak dhe politik.

Mirëpo armën e vetme që e pati Hitleri ishin disa litra benzinë dhe një shkrepsë. Rusët u futën nga Lindja, amerikanët nga Perëndimi. Tragjedia e kishte pllakosur gjithë Gjermaninë. Miliona gra të dhunuara nga Ushtria e Kuqe. Nuk pati kush t’i mbrojë. Nuk kishte armë sekrete.

Sigurisht që asnjë krahasim me Luftën e Dytë Botërore nuk është i duhur. Ajo çfarë ka ndodhur në ato pesë vjet është e papërsëritshme. Adolf Hitler është epitoma e djallit në trupin e njeriut. Është e keqja supreme.

Uji Dea

Mirëpo unë dëshiroj të tërheq një tjetër lloj të krahasimit, jo mbi përmasën e krimeve, por mbi psikozën e njerëzve, të cilët kur mësohen, madje mund të themi edhe adaptohen, me pushtetin e gjatë të liderit, ose diktatorit, dikush shpreson, e dikush frikësohet, se ai është i pamposhtur, se ai fare në fund do ta përdorë një armë, do ta gjejë një fuqi dikund, me të cilën do t’i befasojë të gjithë.

E tillë është situata e ditëve të fundit në Prishtinë, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e Kryeministrit. Për shkak të përvojave, shumicën e herave të këqija, shumëkush e ka kthyer kokën në drejtim të Presidentit Thaçi, i cili për momentin e ka kidnapuar procesin e mëtutjeshëm. Në dy ditët e fundit i kam takuar shumë miq, shumë kolegë, shumë të njohur, që të gjitha bisedat i kanë përfunduar në mënyrë fataliste: “Hajt se keni me e pa ju kush është Hashim Thaçi”, ose “Hashim Thaçi e kontrollon LDK’në, duke e zgjedhë kryetarin aty”, ose “tash Hashim Thaçi e zgjedhë një kryeministër tjetër, e jau ngulë te tanëve”, ose “ka me u kthy Hashim Thaçi në krye të PDK’së edhe ia bon diqysh edhe i munë të tanë”.

Psikoza që Thaçi, i cili është në pushtet që 12 vjet, e ka një fuqi mbinatyrore për t’i kontrolluar të gjithë proceset është e frikshme. Kjo nuk është krejt e pabazë. Gjeturia e tij ka qënë mbresëlënëse ndër vite. Mënyra se si ai ka notuar, herë në kurriz të njërit e herë në kurriz të tjetrit, nuk duhet nënvlerësuar. Kapacitetet e tij mashtruese janë monumentale. Ka mundësi që statura e tij, që rrënjët i ka që në vitet e 90’ta, ka ndikuar që njerëzit përmes frikës të gëzojnë njëfarë respekti për të, për aftësitë e tij për t’i zgjidhur situatat politike në favorin e vet. Herë duke e thyer një subjekt, e herë një tjetër.

Normalisht që këto 12 vjet pushtet, duke i pasur vetëm 30 per qind mbështetje popullore, flasin mjaftueshëm për të. Shumëkush nuk do të mund të përbirohej kaq gjatë, dhe kaq sukseshëm, me kaq pak mbështetje, sikur që ka bërë ky. Mirëpo prapa këtij suksesi nuk fshihet kurrfarë formule magjike, nuk ka asnjë fuqi mbinatyrore. Qëndrimi i tij në pushtet ka ndodhur thjesht dhe vetëm për fajin tonë. Thaçi, si person dhe si politikan, nuk ka diçka të jashtëzakonshme brenda vetes. Kështu që askush nuk ka nevojë që të frikësohet, e as të shpresojë, që ai këto ditë do të bëjë diçka që do të na lërë pa gojë neve të tjerëve. Edhe ai thjesht është duke e survejuar situatën aktuale politike, sikurse ne. Edhe ai është duke luftuar politikisht, sikurse secili politikan tjetër. Është duke provuar që të mbijetojë, tash kur ka më së paku mbështetje. Tash, kur partia e tij politike gjendet në pikën më të ulët të mbështetjes popullore.

Prandaj, është fobi irracionale të besohet që ai është duke parë diçka që ne nuk po e shohim, që ai po e lexon Kushtetutën ndryshe prej qysh ne e lexojmë, që ai po e sheh numrin e deputetëve në Kuvend ndryshe prej nesh.