Eko Higjiena

Hajdari dënohet me 1 vit burg dhe dy vite mos ushtrim të profesionit

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Gjykata Komunale në Gjilan i kryesuar nga trupi gjykues Sahit Borovci të premten ka dënuar dhe shpallur fajtor ish drejtorin e spitalit të Gjilanit Xhavit Hajdarin me një vit burg efektiv dhe dy vite mos ushtrim të profesionit.

Gjykata Komunale në Gjilan të premten shpalli fajtor Xhavit Hajdarin për veprën penale “ryshfeti”. Në fjalët përfundimtare të Hajdarit dhe të palës së dëmtuar Sevdije Demolli ata kanë shprehur qëndrimet e tyre. Hajdari madje ka thënë para trupit gjykues se e tërë kjo lojë është e montuar dhe e shantazhuar nga Kompania “Toni”.

Por ishin të kota lutjet e Hajdarit pasiqë trupi gjykues i kryesuar nga Sahit Borovci e shpalli fajtor atë dhe e dënoj me 1 vit burgim efektiv dhe dy vite masën e ndalimit të mos ushtrimit të profesionit të mjekut.

Borovci duke e shpallur aktgjykimin tha se Hajdari është gjetur fajtor se më 19 korrik 2012 në restorant “Bujana”, Xhavit Hajdari në cilësinë e drejtorit ekzekutiv ka kërkuar përfitim material për vete, respektivisht nga e dëmtuara Sevdije Demolli, pronare e kompanisë “Toni” ka kërkuar shumën prej 2000 eurove në mënyrë që mos t`ia ndërpresë të dëmtuarës kontratën e themeluar për pastrimin e objekteve në spitalin e Gjilanit.

Fillimisht i pandehuri në mënyrë të kundërligjshme e me qëllim përfitimi të dobisë pasurore kërkon nga e dëmtuara shumën prej 500 eurove në muaj në mënyrë që kompania e të dëmtuarës të mund të vazhdonte ofrimin e shërbimeve për spitalin e Gjilanit, në të cilën kërkesë e dëmtuara nuk pranon nën pretekstin se është e papërballueshme për të dhe më pas i pandehuri zbret shumën e kërkuar në vlerë të 200 eurove në muaj.

Fundamenti

Pasi merren vesh i pandehuri dhe e dëmtuara me vajzën e saj takohen tek restoranti “Bujana” ku e dëmtuara nxjerrë shumën prej 2000 eurove, dhe ia dorëzon në dorë të pandehurit i cili i merr paratë dhe i fut në xhepin e majtë të këmishës dhe arrestohet nga policia në flagrancë.

Gjyqtari Borovci tha se palët kanë të drejtë ankese pas shpalljes së aktgjykimit. I pari që ka kërkuar ankesë ishte përfaqësuesi i aktakuzës nga ana e Prokurorisë Komunale dhe më pas edhe avokatët mbrojtës të Hajdarit.

Ndërkaq e dëmtuara Sevdije Demolli edhe të premten në fjalën përfundimtare ka specifikuar se Xhavit Hajdari i ka kërkuar para për tenderin e fituar në vitin 2011 dhe atë 1000 euro dhe 1000 euro tjera për tenderin e fituar në vitin 2012.

Pas shpalljes së aktgjykimit Demolli tha për rajonipress se është shumë e pakënaqur me këtë vendim.”Unë do të ankohem edhe në EULEX dhe nëse është nevoja edhe në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese. U kam thënë publikisht sot trupit gjykues se nëse ju nuk e qoni drejtësinë në vend , atëherë unë edhe pse jam grua do t`i ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për të kërkuar dënimin e merituar për këtë rast “tha Demolli./rajonipress/