Hagë, Ramush Haradinaj shpallet i pafajshëm

Hagë – Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka shpallur sot të pafajshëm ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Gjykata nisi sot në orën 9:00, procesin e shpalljes së vendimit përfundimtar për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Të tre ish-luftëtarët janë rigjykuar pjesërisht nën akuzën për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës, në vitin 1998.
Në vitin 2008, Haradinaj dhe Balaj janë liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa i akuzuari i tretë, Brahimaj, është dënuar me gjashtë vjet heqje lirie për “trajtim mizor dhe torturim” të të burgosurve të UÇK-së.
Rigjykimi, që ka nisur më shumë se dy vjet më parë, ka ardhur si kërkesë e prokurorisë së Tribunalit të Hagës për të dëgjuar dëshmitë shtesë të dy dëshmitarëve “të rëndësishëm”.