Gutierrez për vendim ndaj Klan Kosovës: Ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për refuzimin e ankesës së Klan Kosovës, e ka quajtur “ditë të zezë të censurës shtetërore”.

“Ditët e zeza të censurës shtetërore janë mbi Kosovën”, ka shkruar Gutierrez në një postim në Twitter.

Ai ka shtuar se “qeveria më në fund ia doli që ta mbyllë Klan Kosovën”.

“Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në iliberalizmin më konservator, me përçmimin më të madh të vlerave të BE-së”, është shprehur tutje Gutierrez.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar të premten se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.

Fundamenti

Sipas njoftimit, vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje, MINT-i ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal kundër Klan Kosova sh.p.k. dhe pronarëve të saj dhe se me këtë çështje tashmë po merren organet e rendit.

Kjo thuhet se është bërë për shkak të gjetjeve të parregullsive ndër vite dhe dyshimeve serioze. /Telegrafi/