Mobi Casa

Guinness thyhet N’Prishtinë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Për nder të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, artisti Saimir Strati, në Kosovë, do të pretendojë ta thyejë rekordin e shtatë të tij botëror. Ai për 25 ditë në Hotel Prishtina do ta realizojë një mozaik me madhësi 62 metra katrorë. Realizimi i mozaikut starton të mërkurën.

Artisti shqiptar Saimir Strati, që theu gjashtë rekorde Ginnes, veprën e shtatë të tij vendosi ta realizojë në Kosovë. Këtë punim artistik ai dëshiron ta bëjë për nder të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Strati, qysh në ditën e mërkurë të kësaj jave, do të startojë me realizimin e kësaj vepre artistike.

Për 25 ditë rresht, ai do të qëndrojë në kryeqytetin kosovar, saktësisht në Hotel Prishtina, duke punuar në veprën e tij të shtatë të Guinness’it.

Vepra e Stratit do të jetë një flamur kombëtar me madhësi prej 62 metra katrorë.

Skica dhe dukja e vërtetë e këtij mozaiku nuk dihet ende se çfarë do të jetë. Artisti Strati, në një bisedë me Express, tregon se këtë po e bën për shkak të ndihmës që i ofroi Kosova vendit të tij, Shqipërisë, gjatë shpalljes së pavarësisë 100 vjet më parë.

Ai ka treguar se ka mundur ta bëjë këtë në çdo vend të botës, por ka zgjedhur që ta bëjë në Kosovë.

Për krah të tij në këtë iniciativë qëndron biznesmeni kosovar dhe pronari i Hotel Prishtinës, Blerim Islami. Ai i ka ndarë një ballinë të madhe të hapësirës së tij në hotel për ta realizuar këtë vepër artistike.

Uji Dea

Islami thotë se e ka bërë këtë për shumë arsye, por kryesorja është se ai dëshiron që kjo festë kombëtare të shënohet me një eveniment ndërkombëtar si vepra e Guinness’it të Stratit.

“Pasi që kjo është një vepër botërore, ne jemi të nderuar të japim hapësirën tonë. Kjo është nder edhe për Kosovën, e normalisht që edhe për hotelin tonë”, tha Islami.

Ai tregon se kjo do të jetë edhe një kohë e mirë për klientët e tij pasi që mund të jenë prezent dhe të përjetojnë realizimin e këtij mozaiku që do të ndërtohet çdo ditë nga pak.

Artisti Saimir Strati është njeriu i parë që i dha shtetit shqiptar një çmim rekord të Ginness`it. Ai është 40 vjeç. Është diplomuar për pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura në 1989. Ka thyer gjashtë rekorde Ginness me veprat e tij në mozaik. Rekordin e parë e ka thyer në vitin 2006 me mozaikun Leonardo Da Vinci, të cilin e ka ndërtuar me 400 kilogramë gozhda. Të dytin rekord Ginnes e ka thyer në vitin 2007, me veprën e tij Shpirti i Pakontrolluar, në vitin 2008 me veprën e tij Mediterraneana, në 2009 me figurën e mbretit të popit, Michael Jacksonit, më 2010 ka thyer rekordin me veprën Monedhat e artistëve dhe më 2011 me veprën Një Botë, Një Familje, Një Kafe.

Po këtë vit, Strati fiton Çmimin e Parë në Konkursin Kombëtar të Arteve të Aplikuara.

Ka punuar si restaurues i mozaikëve në sitet antike të Butrintit, Apolonisë dhe Bylisit.

Tash Saimir Strati do të ndërtojë mozaikun prej 62 metrash katrorë dhe do të jetë rekordi i tij i shtatë.