Gucati kërkon nga Apeli lirim prej të gjitha akuzave: Nuk e kemi merituar asnjë ditë në burg

Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka folur para Panelit të Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dhe ka kërkuar lirim nga të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të dhe Nasim Haradinajn.

Ai ka thënë se me veprimet e tyre nuk e kanë shkelur ligjin derisa ka theksuar mungesën e zbardhjes së mënyrës se si kanë rrjedhur dokumentet e dërguara në OVL-UÇK.

Gucati ka thënë se drejtuesit e organizatës nuk kanë asnjë faj për rrjedhjen e dokumenteve që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka konsideruar konfidenciale.

“Ne si drejtues të OVL-UÇK nuk kemi bërë asnjë faj të vetëm dhe nuk e kemi shkelur ligjin, janë të tjerët pa ndikimin tonë që në zyrat tona i kanë sjellë dokumentet e prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Ne i kemi lajmëruar organet kompetente me atë që kishte ndodhur por lidhur me ata njerëz askush nuk e ka bërë ndonjë hetim as sot e kësaj dite. Prandaj ne nuk kemi asnjë faj për këto rrjedhje. Duke u nisur nga kjo që ë thash kërkoj nga trup gjyqësor që të na liroj nga të gjitha akuzat pasi ne nuk e kemi merituar asnjë ditë të vetme në burg. Ne presim vetëm lirimin tonë. Për fund, respekt për ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për popullin tim”, ka thënë Gucati.

Para Panelit të Apelit, Hysni Gucati i cili po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej shtatorit të vitit 2020, ka thënë se me këtë prokuroria ka shkelur të drejtat dhe liritë e tij, raporton Kp.

“Me burgosjen time prokuroria e Dhomave të Specializuara ka shkelur të gjitha të drejtat dhe liritë e mija njerëzore. Popullit tim me dekada i është imponuar lufta për liri dhe çlirim, populli im e as unë si pjesëtar i tij nuk e kemi dashur dhe as zgjedhur luftën. Sepse ne kemi qenë dhe jemi të bindur se të kërkosh luftë është çmenduri, pro t’i përgjigjesh asaj kur të imponohet siç na është imponuar neve është urti dhe mençuri. Shteti i Kosovës asnjëherë nuk ka qenë agresor ndaj asnjë shteti, ne duhet ta kemi të drejtën të mbrohemi vet vetën tonë kundër atyre që kundërshtojnë të drejtën tonë”, ka thënë ai.

Hysni Gucati ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka rrezikuar jetën e asnjë civili të asnjë etnie.

Ai ka përmendur gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë, gjithashtu familjen Jashari për të cilën ka thënë se janë dëshmia më e mirë për krimet e Serbisë.

“Jam krenar për të gjithë bashkëluftëtarët e mijë, unë dhe bashkombasit e mijë aktualisht gjendemi në burgun e sigurisë së lartë, kemi qenë dhe jemi të bindur se me asnjë të drejtë evropiane apo ndërkombëtare nuk mohohet dhe as nuk dënohet lufta për liri dhe jetë. Ne kemi qenë të shtrënguar të luftojmë kundër një shteti që me program dhe projekt është angazhuar për shuarjen e popullit tim. Kemi luftuar kundër një shteti që shumë herë më parë edhe më luftën e fundit ka kryer krime dhe gjenocid. Këto krime janë parë nga bota e cila ka intervenuar me bombardimet e NATO-s plot 78 ditë për ta ndaluar gjenocidin serb”, ka shtuar Gucati.

Ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinaj është shqiptuar aktgjykim fajësie në maj të këtij viti ku dy ish krerët e OVL-UÇK janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Ata kanë apeluar vendimin e turpit gjykues duke kërkuar lirim nga të gjitha akuzat apo ulje të dënimit.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dënuar për pengim të personave zyrtarë nëpërmjet kërcënimit, për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të informacioneve të fshehta dhe për zbulim të identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për një pikë të aktakuzës që është vepra penale e hakmarrjes.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS