Grushte e shqelma në stacionin policor në Gjilan

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) kanë konstatuar përdorimin e forcës, respektivisht keqtrajtimin fizik dhe psikik të një të ndaluari në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor në Gjilan.
Keqtrajtimi i tij fizik dhe psikik është bërë gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit në Stacionin Policor në Gjilan, pasi që i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Në një komunikatë të këtyre dy institucioneve, thuhet se reagimi i policisë ka qenë në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë, përkatësisht Kodin i Procedurës Penale, Ligjin e Policisë dhe Konventat ndërkombëtare, si Konventa e OKB-së kundër Torturës dhe Keqtrajtimit.
Marrja në pyetje nga hetuesit ishte bërë në ambientet e stacionit policor dhe jashtë ambienteve të qendrës së mbajtjes më datën 06.11.2012 rreth orës 09:30 – 11-30.
Sipas të ndaluarit, gjatë marrjes në pyetje ai ishte ulur në karrige dhe në fillim dy hetues e më vonë 5 hetues civil e kishin goditur me grushte dhe shqelma derisa ka rënë në tokë dhe prapë e kanë kthyer në karrige duke e përdorur të njëjtën metodë disa herë.
Ekipet monitoruese kanë vërejtur dhe konstatuar këto lëndime tek i ndaluari: lëndime në këmbë, krah, pjesën abdominale, shpinë, edeme (ënjtje) në kokë dhe fytyrë, ku vëreheshin edhe hematoma në pjesë të ndryshme të trupit.
Përkundër gjendjes së rëndë shëndetësore të të ndaluarit/arrestuarit, gjatë ditës së djeshme atij nuk i është ofruar ndihmë shëndetësore, edhe pse kishte kërkuar një gjë të tillë.
Po ashtu shqetësues është edhe fakti se gjatë fillimit të intervistimit nga ana e hetuesisë nuk ka qenë i pranishëm avokati mbrojtës i caktuar sipas detyrës zyrtare. I njëjti ka ardhur pasi që është keqtrajtuar i ndaluari. Edhe pse i ndaluari e ka njoftuar avokatin për keqtrajtimin e tij fizik dhe psikik nga ana e policisë së Kosovë, ai nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim.
QKRMT dhe KMDLNJ dënojnë veprimet tilla, të cilat përbëjnë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, respektivisht të drejtave të personave të arrestuar/ndaluar dhe të cilat veprime janë në kundërshtim të plotë me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe konventat ndërkombëtare.
Këto dy institucione kanë kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë si dhe drejtoria rajonale e Gjilanit që të hetojnë këtë rast dhe në kuadër të autorizimeve të tyre kushtetuese dhe ligjore, të ndërmarrin masat konkrete.