Uji Dea

Gratë kërkojnë përfaqësim të barabartë edhe në këshillat lokalë

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Në një takim të grave në Gjilan, të organizuar nga Zyra për Barazi Gjinore, pavarësisht se pjesëmarrja nuk ishte e kënaqshme, iu është bërë thirrje grave të kësaj komune që të përfshihen sa më shumë në procesin e zgjedhjes së këshillave lokalë, ndërkohë që nga anëtaret e Kuvendit Komunal, Komiteti për Barazi Gjinore, Grupi i Grave si dhe organizatat e shoqërisë civile u kërkua që të shtojnë aktivitet në terren, për të inkurajuar pjesëmarrjen e grave nëpër tubime.

Lindita Salihu, zyrtare për Barazi Gjinore, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës e njeh mundësinë e barabartë të pjesëmarrjes së burrave dhe grave në jetën institucionale dhe publike, derisa ligji për barazi gjinore ka paraparë edhe kuotat e përfaqësimit gjinor.

Sa i përket përfaqësimit gjinor në këshillat lokalë, Salihu ka kërkuar që ky raport të jetë 50:50, përkatësisht 4:3, në një përbërje prej shtatë anëtarësh.

Avdyl Aliu, kryesues i komisionit komunal për zgjedhjen e këshillave lokalë, ka thënë se deri më tani nuk ka pasur asnjë femër në krye të këtyre këshillave, por është shprehur i bindur se në të ardhmen do të ketë, meqë procesi është në zhvillim e sipër, ndërkohë që përfaqësimi gjinor në këta trupa lokalë është avancuar tanimë edhe me rregulloren komunale.

Meqenëse pjesëmarrja e femrave nëpër tubime zgjedhore, zakonisht është e vogël, sidomos në fshatra, ai ka thënë se do të ndiqet parimi i votimit të veçantë për femra, për t`iu mundësuar atyre përfaqësim meritor në një këshill lokal.

Në funksion të sensibilizimit të grave për pjesëmarrje në tubimet për zgjedhjen e këshillave lokalë, përmes ideve dhe propozimeve të ndryshme, janë angazhuar edhe Anita Ademi, Ajtene Shahiqi, Gjylshene Berisha, Arjeta Maka dhe të tjera, të cilat kanë thënë se në këtë proces duhet të jemi bashkë. Gratë, kudo që jetojnë, duhet ta kuptojnë se ato vlejnë dhe janë të rëndësishme në këtë rrugëtim, thanë ato.

RCCOLA

Përndryshe, nga data 10 qershor deri më 1 korrik 2019, në dhjetë fshatra të Komunës së Gjilanit, do të mbahen tubimet zgjedhore për këshillat lokalë. Me qëllim të gjithëpërfshirës, numri i këshillave lokalë është rritur në 44 nga 29 sa ka qenë deri më tani.

Kohë më parë, me ndryshimet e rregullores komunale, është paraparë edhe një kompensim i kryetarëve të këshillave lokalë, që deri më tani kanë punuar në baza vullnetare.

Zgjedhja e këshillave lokale, ku reflektohet edhe përbërja gjinore dhe etnike, në lokalitetet ku banojnë komunitetet, bëhet në tubime me qytetarë, gjatë një procesi që mbikëqyret nga komisionet komunale. Kryetar i këshillit zgjidhet kandidati që fiton shumicën e votave të qytetarëve që marrin pjesë në atë tubim.

Këshilli lokal i fshatit, vendbanimit apo lagjes urbane, organizon, përcjell dhe planifikon planet dhe programet zhvillimore të lokalitetit, në të gjitha sferat, në bashkëpunim me Kuvendin e Komunës, Kryetarin e Komunës, komitetet dhe drejtoritë komunale.

Këshilli mund të ndërmarrë aktivitete të cilat në veçanti ndikojnë në zhvillimin ekonomik të lokalitetit, planifikimin urban dhe rural, mbrojtjen e mjedisit, rritjen e efikasitetit në shërbimet publike brenda lokalitetit, siguron të dhënat elementare për çdo familje të lokalitetit përkatës, përcjell gjendjen e tyre ekonomike, sociale dhe jep rekomandime e propozime për mbështetje të këtyre rasteve, kujdeset për varrezat dhe hapësirat publike, për organizimin e aktiviteteve kulturore e sportive dhe të tjera./rajonipress/