Gratë e PDK-së : Fitorja e Qemajl Mustafës është e pakontestueshme

Gjilan – Në tubimin e Forumit të Gruas së PDK-së në Gjilan ku merrte pjesë edhe Hashim Thaçi e Qemajl Mustafa u tha se gruaja në Gjilan është ndier komod dhe mirë në qeverisje dhe në të gjithë sektorët institucional.
“Në Gjilan ka vetëm një fitues, e ai është Qemajl Mustafa”. Kështu u tha në tubimin e gruas së PDK-së në Gjilan të shtunën ku merrte pjesë edhe Hashim Thaçi e Qemajl Mustafa.
Shukrije Rapuca kryetare e Forumit të Gruas së PDK-së në Gjilan ia bëri për hair fitoren Qemajl Mustafës. “Gratë e shumta të mbledhura sot në këtë sallë janë dëshmi e pakontestueshme se fitorja e Qemajl Mustafës dhe e PDK-së në Gjilan është e sigurt dhe ne vetëm mund t`i urojmë suksese Qemajl Mustafës” tha Rapuca.
Deputetja Salije Mustafa tha se gruaja në Gjilan është përfaqësuar denjësisht në institucione.
Kurse Qemajl Mustafa tha se në Gjilani ka pasur përfaqësim të mirë të barazisë gjinore sepse rreth 45% e femrave janë të punësuara në institucione dhe realisht jemi komuna kampione.”Në Gjilan ka ndodhur kthesë radikale sepse ka pasur shumë investime në të gjithë sektorët. Kësaj radhe fitorja e jonë është e thellë dhe e madhe. Do t`i ftojmë edhe të tjerët që të festojnë me ne më 3 nëntor” tha Mustafa.
Kurse Hashim Thaçi pasi ka folur për kontributin dhe rolin e gruas demokratike tha se Gjilani ka një perspektivë të mirë evropiane sepse ishte PDK-ja ajo që për këto vite e kthejë gjendjen për së mbari. “Gruaja e PDK-së ishte dhe mbetet shtylla kryesore dhe në këtë drejtim ajo do të jetë sërish një shtyllë e mirë për fitoren e Qemajl Mustafës” tha Thaçi.
Thaçi ka shprehur bindjen se kësaj radhe Qemajl Mustafa do të jetë kandidati më i votuari pasiqë në çdo cep të komunës po përkrahet fuqishëm pikërisht për shkak të projekteve të mira që ka realizuar dhe pritet të realizojë edhe në mandatin katërvjeçar. “Gruaja në PDK është shtylla e fuqishme e të gjitha fitoreve tona” tha Thaçi .
“Shqiptarët gjithnjë kanë pasur gra të shquara që i vlerësoi tërë bota. Ai ka thënë se në Kosovë ndodhën ndryshime të pakrahasueshme, ne edhe presidenten e kemi grua, sot po fitojmë betejat diplomatike me në krye Edita Tahirin e liberalizimin e vizave do ta fitojmë me Vlora Çitakun e zonja Valdete Daka është vënë në krye të KQZ-së”.
Ai sërish përmendi 120 milionët për Gjilanin dhe investimet e mëdha.
Thaçi mbajti një diskutim për proceset vendimmarrëse dhe duke mos harruar që aty të përmend gratë botërore si Medlin Albright, Hilari Klinton, Ketrin Eshton e gra të tjera./rajonipress/